Lajme
Një vit e gjysmë në pushtet, opozita e cilëson të dështuar Qeverinë Kurti
Demokracia
09:40 | 21 Shtator 2022

Share:

Të papërgjegjshme, joefikase e më të dobëtën që ka pasur ndonjëherë Kosova e kanë cilësuar zyrtarë të opozitës Qeverinë Kurti, në një vit e gjysmë që kur ka ardhur në pushtet. Ndërkohë në shoqërinë civile kanë thënë se ekzekutivi deri tani ka dështuar t’i realizojë premtimet.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në qeverisje, sidomos në menaxhimin e krizës ekonomike dhe energjetike.

“Asnjë nga iniciativat që i ka paraparë në planin dhe programin e tij politik si Qeveri e Kosovës, ende s’ka filluar t’i realizojë. S’ka filluar ta realizojë çështjen e bankës zhvillimore, fondit sovran apo të iniciativave të tjera që i ka prezantuar, e që lidhen në aspektin ekonomik. Në anën tjetër ka pasur një vazhdimësi të procedimit të ligjeve të cilat kanë qenë të gatshme nga qeveritë e mëhershme. Nuk shoh asnjë iniciativë të vetme të kësaj qeverie jo të përfundojë, por që ka nisur të paktën në këtë periudhë 1 vit e gjysmë sa po qeverisë. Në anën tjetër, ju e shihni se në vitin e dytë qeverisës e ka buxhetin që ka miratuar vet dhe investimet kapitale s’kanë arritur të shkojnë as në 20 për qind të zbatimit të tyre. Papërgjegjshmërinë dhe joefikasitetin e madh të kësaj qeverie e shihni në implementimin e vetë projekteve dhe prioriteteve të saj. Kjo nuk është e zonja t’i implementojë as projektet të cilat i ka përcaktuar vetë dhe buxhet për të cilat ka. Në sektorin energjetik kemi pësuar dëme të mëdha. Paaftësia e njerëzve në kuadër të Qeverisë, qoftë ata që janë deleguar në KEK, apo në MZHE që e mbulojnë sektorin e energjisë në vendin tonë është një e madhe dhe paaftësia e tyre po i kushton Kosovës, qoftë në importimin e energjisë apo efikasitetin në prodhimin e energjisë. Në fund të ditës është qytetari që po pëson shumë, qoftë me reduktime apo ngritjen e energjisë elektrike”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.

Më i ashpër në kritika është shprehur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Qeveria Kurti është më e dobëta që Kosova ka pasur ndonjëherë.

“Absolutisht asnjë premtim nuk është realizuar. Është zhgënjimi më i madh që ka ndodhur në Kosovë ndonjëherë. Është Qeveria më e dobët që ka pasur Kosova ndonjëherë. Është Qeveria që asnjëherë nuk i ka dalë zot premtimeve dhe deklarimeve të veta. Kjo ka qenë plotësisht e pritshme për mua, por persona të caktuar, qytetarë dhe politikanë të caktuar kanë pasur pritje. Unë nuk kam pasur, kam bërë të qartë që nga fillimi se do jetë një zhgënjim i madh me këtë qasje të qeverisjes, njerëz të papërvojë në qeverisje, njerëz që kanë ardhur në qeverisje duke përdorur çdo kauzë për të kërkuar mbështetje qytetare, në mënyrë jofisnike, duke bërë garë për jetë a vdekje ndaj kundërshtarëve politikë. Tash janë në qeverisje, por nuk kanë asgjë për ofruar. Unë shpresoj se kjo qeverisje nuk vazhdon gjatë dhe njerëzit duhet të përballen me të vërtetat dhe të marrin vendimet e duhura”, ka thënë Hoti.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, ka deklaruar se Qeveria Kurti s’ka realizim të punëve në nivel të shpejtë, përkundër premtimeve të mëdha. Si progres ajo e përmend sektorin e drejtësisë, në miratimin e projektligjeve të ndryshme, mirëpo thotë se në shëndetësi dhe politikë të jashtme ka pasur ngecje.

“Premtime kemi pasur shumë më shumë se çka kemi parë realizim të atyre premtimeve, pavarësisht se disa kanë filluar. Ne kemi parasysh se asnjë qeveri s’ka shkop magjik që të bëjë mrekulli në një kohë të shkurtër, por disa gjëra kanë filluar. Por nuk mund të themi se kemi parë një realizim të punëve në një nivel shumë më të shpejtë, përkundër faktit se kemi pasur premtime shumë të mëdha… Kemi nisma legjislative shumë, kemi shumë ligje që po pësojnë ndryshime, disa janë duke bërë prej fillimit. Kjo është një prej punëve që është bërë dhe është me e theksuara aktualisht. Mirëpo, mos të harrojmë se kemi një Ministri të Shëndetësisë, ku nuk po shihet puna askund. Andaj ne me padurim po presim që vetë ministrat t’i thonë këto katër-pesë sukseset e tyre gjatë kësaj periudhe sepse vërtet janë shumë të pakta. Ne kemi pa ministri që në planin e punës shkruan me qindra aktivitete, por realizimi i tyre në realitet është i vogël. Prandaj duhet planifikuar aq sa kanë mundësi dhe kapacitete për të realizuar dhe jo vetëm për të vendosur në plan të punës fontanë dëshirash që janë vështirë të realizueshme… Edhe sa i përket politikës së jashtme nëse e shohim tek njohjet këtë rast nuk ka ndonjë njohje të re”, ka thënë ajo.

Zyra e Kryeministrit nuk i ka publikuar ende ato që i vlerëson si arritje në këtë periudhë. Kryeministri Albin Kurti javën e shkuar paralajmëroi se ka kërkuar nga ministrat që t’i shkruajnë arritjet e tyre, për t’i bërë publike në një vit e gjysmë qeverisje.

Qeveria Kurti është votuar në Kuvendin e Kosovës më 22 mars 2021./KP

Të ngjashme