Lajme
Një vështrim mbi 365 ditët e një kryeministri populist e mburravec
Demokracia
16:01 | 23 Mars 2022

Share:

Albin Kurti i ka bërë 1 vit që kur e ka marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës.

Premtimet që i kishte dhënë si opozitar u fashitën pak nga pak përgjatë një viti në qeverisjen e tij.

Erdhi në krye të ekzekutivit kosovar me premtime për ulje të çmimeve, për barazi, jetë më të mirë, barazi në punësim, reciprocitet me Serbinë, ngritje të një padie për gjenocid ndaj Serbisë e shumë të tjera, që u avulluan apo tjetërsuan gjatë rrugës, shkruan Demokracia.com.

Kurti, i cili në tërë karrierën e tij politike si opozitar ka lëvizur nëpër teh të ekstremeve, sapo mori postin e kryeministrit u denatyralizua, duke aktruar qysh në ditët e para si një kryeministër i butë në detyrë.

Albin Kurti nuk e vendosi reciprocitetin me Serbinë, madje as nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do ta bëjë këtë.

Ai nuk e bëri as padinë për gjenocid ndaj Serbisë, të cilën e premtonte. Nuk e rriti ende as pagën minimale.

Çmimet e produkteve bazë të konsumit, çmimi i naftës dhe i energjisë elektrike “fluturuan” në qiell.

Jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës u rëndua edhe më shumë.

Ai Albin Kurti që dikur i urrente “xhipat e zinj” të pushtetarëve, pak nga pak u shndërrua në një dashamir dhe çdo ditë po e shijon komoditetin e tyre.

Dikur i urrente edhe truprojat e politikanëve të tjerë, por sot shoqërohet nga një numër i madh i tyre, shkruan Demokracia.com.

Por, veç këtyre, në 365 ditë të qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk mori asnjë njohje ndërkombëtare.

Madje, ministrja e tij e Punëve të Jashtme është e njohur për skandalet e shumta diplomatike.

Populisti i njohur për rimat e tij shpesh përgjatë këtyre 12 muajve doli qesharak dhe u bë viral në rrjetet sociale.

Pritjet e qytetarëve të akumuluara u përmbysën. Mospërmbushja e premtimeve, atij iu përkthye edhe në zgjedhjet lokale. Ai fitoi vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale të tetorit. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli me rezultat shumë të dobët, duke fituar vetëm Gjilanin, Kamenicën, Shtimen e Podujevën.

Dështimi në Politikën e Jashtme

Politika e Jashtme e Kurtit dhe kauza e Vetëvendosjes në ditët e para të qeverisjes u shndërruan në dështim të brendshëm dhe në izolim ndërkombëtar.

As kritikët më të ashpër të tij nuk kishin besuar se dështimi më i madh i Kurtit do të ishte politika ndërkombëtare. Kurti dështoi në politikën e jashtme në mungesë të përvojës, vizionit në diplomaci dhe paaftësisë për t’i lexuar momentumet gjeopolitike.

Brenda një kohe të shkurtër, ai ktheu kokëposhtë parimet mbi të cilat ishte ndërtuar politika e jashtme e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Askush nuk kishte besuar që për një vit një kryeministër do të mund ta largonte Kosovën nga forumet, konferencat ndërkombëtare dhe tavolinat e bisedimeve, ngase Kosova kishte një koordinim të plotë me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë evropianë. Albin Kurti për një vit të qeverisjes nuk arriti as të sigurojë një vizitë në SHBA, duke i kthyer marrëdhëniet me aleatin kryesor në një pikë të vështirë.

Pos marrëdhënieve të ftohta me aleatët, ministrja e jashtme e Kurtit, Donika Gërvalla, e çorientoi totalisht edhe punën e ambasadave të Kosovës, me shkarkime politike e me inate personale, duke e përdorur diplomacinë jo si mekanizëm të përfaqësimit të interesave të qytetarëve në botë, por për luftimin e kundërshtarëve politikë.

Harresa e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe dështimi për ta mbrojtur luftën për liri

Albin Kurti për një kohë të gjatë nuk foli dhe nuk tha asnjë fjalë në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Tek tash së fundmi, Kurti i tha ca fjalë, por pa përmendur emra. Kurtit, që dikur i thoshte ish-presidentit Thaçi “Shko Hashim”, tash po i duket e pabesueshme të ketë politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri.

“Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri”, tha Kurti për mediat italiane, përcjell Demokracia.com.

E harroi edhe Bashkimin Kombëtar

Për bashkim me Shqipërinë më askush nuk flet në Kosovë. Kurti, i cili u rrit politikisht me këtë ide, tashmë e ka harruar. Nuk flet më për të. Hesht sikur kjo të ishte blasfemi. I vetmi hap që ai bëri ishte se me partinë e vet garoi edhe në Shqipëri. Madje, ndonëse është Kryeministër i Kosovës, ai votoi në Shqipëri në prill të vitit të kaluar, ku doli më rezultate zhgënjyese.

Pandemia

Albin Kurti nuk u tregua efikas as në menaxhimin e pandemisë së përhapur nga COVID-19. Njëvjeçari i tij qeverisës u karakterizua me masa të pakuptimta dhe me vonesa të mëdha në sigurimin e vaksinave, shumica e të cilave janë siguruar si ndihma humanitare.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24.000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Madje, në mes të pandemisë, Kurti u përcaktua ta kandidonte Ministrin e Shëndetësisë për kryetar të Prishtinës. Pas humbjes së betejës për minimizimin e humbjeve nga Covid-19, Arben Vitia i humbi edhe zgjedhjet lokale.

As pasardhësi i tij, Rifat Latifi, një mjek nga Amerika që dikur ishte pjesë e “regjimit të vjetër”, siç do të thoshte Kurti, nuk njihet për ndonjë punë të hairit. E vetmja gjë për të cilën njihet ministri i Kurtit janë çizmet e tij prej kauboji.

Çmimet në qeverisjen e Kurtit që po çojnë në mjerim e varfëri

Albin Kurti kishte premtuar se në qeverisjen e tij do t’i ulë çmimet. Por, krejt çmimet në këtë vit u rritën. Kush do ta besonte se në vitin 2022 do të shikonte pamje të frikshme në supermarkete, qytetarë duke blerë miell, vaj, sheqer, oriz e gjëra të tjera elementare, ngaqë një litër vaj kishte shkuar në 3 euro e 49 cent brenda ditës.

Kosova përjetoi një krizë energjetike muajt e fundit. Reduktimet u kthyen sërish. Qirinjtë e llampat me vajguri sërish zunë vend për orë të tëra në shtëpitë e kosovarëve. Kriza u sanua disi, por çmimi i energjisë u rrit.

Qeveria nuk mori masa që në këtë krizë të ndihmojë qytetarët e as bizneset, ashtu siç bënë vendet e tjera fqinje.

Mburrje e vetëkënaqësi me qeverisjen e tij

Me gjithë këto dështime mbi supe, Kurti vitin e parë të qeverisjes së tij e ka konsideruar si vit të kthesës drejt zhvillimit dhe drejtësisë.

Në mbledhjen e parë që shënon edhe nisjen e vitit të dytë të qeverisjes së tij, kryeministri Kurti ka përmbledhur gjithë punën e të gjitha ministrive përgjatë qeverisjes njëvjeçare. E gjithë kjo punë, ai tha se u bë në dritën e diellit e pa asnjë skandal, si asnjëherë më parë. Sipas tij, dialogu me Serbinë u trajtua duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa shtoi se gjatë këtij 1 vjeçari kanë shënuar edhe reforma në diplomacinë kosovare. Madje, ai vitin 2021 e konsideroi si vit të zhvillimit ekonomik.

“Janë vetëm disa nga veprimet e shumta të cilat e kanë bërë kthesën e madhe drejt zhvillimit, drejt drejtësisë në vitin e parë qeverisës. E punët i kemi bërë në dritën e diellit, pa asnjë skandal dhe me një transparencë dhe llogaridhënie të paparë ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit”, u shpreh ai, përkundër që qeverisja e tij është një prej qeverive më jotransparente në historinë e institucioneve të Kosovës, saqë as intervista për media kritike nuk jep si kryeministër i vendit.

I pari i Qeverisë theksoi se viti 2021 që shënon edhe vitin e parë të qeverisjes nga vetë ai ishte edhe vit i Kosovës sovrane.

“Ishte edhe vit i Kosovës sovrane. Kemi filluar aplikimin reciprocitetit në targat me Serbinë dhe në vazhdimësi po i identifikojmë fushat e tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për ta zbatuar atë me sukses të plotë. Dialogun me Serbinë e kemi trajtuar në përputhje me prioritetet e qytetarëve dhe në respektim të Kushtetutës dhe ligjit tonë”, tha Kurti, raporton Demokracia.com.

Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se për 365 ditë të qeverisjes së tij kanë proceduar 128 projektligje dhe si suksese të madh e ka konsideruar edhe menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe arritjen e përmbushjes së premtimit të tyre për vaksinimit anti-COVID të mbi 60% e popullatës së vaksinuar qytetare.

Tutje, qeverisjen njëvjeçare të tij, kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar edhe vit të planifikimit, ndërsa renditi disa nga strategjitë për të cilat tha se tregojnë rrugën e ndryshimit për 10 vitet e ardhshme.

Vitin e parë të qeverisjes e konsideroi edhe si vit të zhvillimit ekonomik dhe investimeve. Sipas tij, eksporti është rritur 83.6% e rritje kanë shënuar për 31% edhe të hyrat doganore, pa e përmendur këtu inflacionin që është më i larti që mbahet mend.

Kurti tha se gjatë këtij viti janë bërë reforma në drejtësi që hedhin bazën për luftimin e korrupsionit dhe kthimit të dinjitetit në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se kanë qenë të pakompromis në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ku nga aksionet e shumta policore janë shkatërruar 54 grupe kriminale dhe janë arrestuar 12 mijë persona, në mesin e tyre 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë.

Kryeministri Kurti e ka quajtur këtë edhe si vit të reformimit të diplomacisë, duke thënë se kanë filluar reformimin e diplomacisë, e cila ishte mbushur me militantë dhe familjarë.

“Vit i reformimit të diplomacisë ishte viti i parë i qeverisjes tonë. Kemi filluar reformimin e diplomacisë, e cila ishte mbushur me militantë dhe familjarë. Janë shkarkuar 13 ambasadorë dhe 4 konsuj. Janë emëruar 6 ambasadorë politikë e 9 të karrierës. Nga 31 ambasada në total, 6 ambasadorë janë politikë, 9 të karrierës dhe 6 pozita të lira e vendi ynë është vizituar si rrallëherë më parë nga presidentë e kryeministra e ministra të jashtëm”, u shpreh Kurti, i cili duket se nuk ka parë evidenca të vizitave të krerëve të shteteve në qeveritë e kaluara.

Vitin e parë të Qeverisë Kurti, shefi i qeverisë kosovare e cilësoi si vit të departizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilat i ka mbushur me militantë të vet tani.

“Viti i parë i qeverisjes sonë ishte vit i departizimit dhe rimëkëmbjes së ndërmarrjeve publike dhe mbrojtjes së pasurisë së Kosovës. Është rihapur terminali doganor i Trepçës, i cili shënon hapin e parë drejt kalimit të gjitha terminaleve doganore në prona publike. Janë emëruar bordet e rregullta të drejtorëve në mandat 3 vjeçar në ndërmarrjet publike, sikurse në Telekom, KEK, Postën e Kosovës, IFRAKOS, Trepçë e Hidromoravë”, theksoi ai.

Kurti, i cili po shënon 1-vjetorin nga marrja e mandatit si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës, tha se gjatë këtij viti kanë rritur investimet edhe në bujqësi, por edhe në sektorin e mbrojtjes.

Vitin 2021, po ashtu, Kurti e quajti edhe vit të kursimit, pasi që siç tha ai, përgjatë qeverisjes njëvjeçare u anuluan tenderë e marrëveshje të dëmshme prej të cilave janë kursyer 150 milionë euro.

Duke folur për punën që kanë bërë në sektorin e arsimit, ai tha se në vitin e parë kanë ndarë 12% buxhet më të lartë se deri tani, si dhe kanë mundësuar arsimin publik falas për bachelor dhe master dhe mbi 3 mijë bursa janë ndarë për studentët e dalluar.

Më 22 mars 2021, më 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e kishte zgjedhur Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Qeverinë e Kurtit e mbështetën edhe deputetët e komuniteteve joserbe.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje fitoi me mbi 50% të votave.

Ndërsa, më 23 mars 2021, ishte mbajtur mbledhja e parë e Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme