Lajme
Një version i ri i Statutit të Asociacionit, nga qëllimet deri te kompetencat (DOKUMENT)
Demokracia
18:07 | 26 Janar 2023

Share:

Javëve dhe ditëve të fundit është rritur dukshëm presioni për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Emisarët ndërkombëtarë në krye me Miroslav Lajçakun po insistojnë që Kosova fillimisht ta themelojë Asociacionin e më pas të arrihet marrëveshja me Serbinë bazuar në planin evropian. Mbrëmë, Lajçak rreth mesnatës njoftoi se me kryeministrin Kurti janë pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë edhe atë për Asociacionin. Ndërkaq, sot Kurti ishte i paqartë nëse ka pranuar një gjë të tillë, siç paralajmëroi ndërmjetësi evropian, duke thënë se po kërkohet krijimi i një trupi etnik që nuk e duron Kushtetuta e Kosovës.

Në ndërkohë për themelimin e Asociacionit është angazhuar edhe ambasada amerikane në Kosovë. Kjo e fundit i ka ftuar në takim krerët e opozitës dhe dy ministra të Kurtit më 31 mars për konsultime. Deri më tash shkuarjen në ambasadën amerikane e kanë konfirmuar opozitarët dhe dy ministra nga radhët e minoriteteve, Nenad Rashiq dhe Emilia Rexhepi, por jo edhe kryeministri Kurti.

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve lidhur me Asociacionin dhe publikimit të sotëm të një draft-statuti, Demokracia.com e ka siguruar edhe një draft të ri të Statutit të Asociacionit nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, i cili përmban 21 nene.

Në këtë draft, që është i ndryshëm nga ai që sot ka qarkulluar në media, i cili u tha se ishte përpiluar nga organizata gjermane FES (Fridrich Ebert Stiftung), neni i parë e përkufizon emërtimin zyrtar të Asociacionit: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës.

Në pikën e dytë të nenit të parë thuhet se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ka statusin e personit juridik. Asociacioni është profitabil, i themeluar nga komuna me shumicë serbe në Kosovë dhe përfaqëson interesat e tyre. Tutje në pikën e katërt të nenit të parë thuhet se Asociacioni ka xhirollogarinë e vet dhe emblemën në të cilën shkruan: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës. Në pikën e gjashtë të përkufizimit thuhet se selia e Asociacionit është në Komunën e Graçanicës.

Në Nenin 2 të Statutit / Qëllimet dhe Objektivat thuhet se në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjes Lokale dhe Kartës Evropiane për Autonominë Lokale, qëllimet dhe objektivat kryesore të Asociacionit janë: 1.1. Koordinimi dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet komunave me shumicë serbe në Kosovë, 1.2. Fuqizimi i demokracisë lokale, 1.3. Mbikëqyrja e plotë në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, 1.4. Mbikëqyrja e plotë në fushën e arsimit, 1.5. Mbikëqyrja e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjes sociale, 1.6. Mbikëqyrja e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural 1.7. Ofrimin e ndihmës për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyer në Kosovë, etj.

Neni 3 i Statutit flet për përbërjen e ASK-së. Në pikën e parë të këtij neni thuhet se Asociacioni përbëhet nga komunat me shumicë serbe në Republikën e Kosovës. Pika e dytë e këtij neni thotë se çdo komunë tjetër që pranon dispozitat e parapara me këtë statut mund të bëhet pjesë e Asociacionit.

Vendimi për t’u anëtarësuar në Asociacion merret nga Kuvendi i Komunës përkatëse. Pika 4 thotë se vendimi për anëtarësim duhet të konfirmohet nga Kuvendi i Asociacionit.

Neni 5 i Statutit përmban Kompetencat e Asociacionit. Pika 1.1 e këtij neni thotë se Asociacioni organizon dhe promovon bashkëpunimin në mes autoriteteve lokale të komunave me shumicë serbe. 1.2. Angazhohet për fuqizimin e demokracisë lokale, 1.3. Bën asistencë organizative dhe ligjore për autoritetet lokale… etj.

Në nenin e 6 të ASK-së është saktësuar struktura organizative e Asociacionit. Organet udhëheqëse të Asociacionit janë Kuvendi, Kryetari, Nënkryetari, Këshilli, Bordi dhe Zyra e Ankesave.

Në vazhdim e gjeni një draft-statut të ri të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe:

Të ngjashme