Një nga portretet emblematikë të Marilyn Monroe nga Andy Warhol mund të bëhet vepra e artit e shekullit XX më e shtrenjtë që ka dalë ndonjëherë në shitje. Shtëpia e ankandit Christie’s thotë se pret që ofertat të arrijnë në rreth 200 milionë dollarë (182 milionë euro).
“Shot Sage Blue Marilyn” (1964) një nga dhjetëra imazhet që artisti ka realizuar për Monroe në vitet ’60, do të dalë në shitje në Nju Jork në maj të këtij viti, njoftoi shtëpia e ankandeve të hënën.
Imazhet shumëngjyrëshe të Warhol, të portretit të yllit të Hollywood – fillimisht një foto reklamuese për filmin e saj “Niagara”, më 1953, janë ndër veprat më të famshme të Warhol.
Duke përdorur teknikën e quajtur serigrafia, e cila riprodhon imazhet në fletë apo kanavacë nëpërmjet një shtrese mëndafshi me rrjetë të hollë, ai filloi t’i krijonte ato në vitin 1962, pak kohë pas vdekjes së Monroe (4 gusht 1962).
Ashtu si me portretet e personazheve të tjera të famshme, duke përfshirë Elvis Presley-n dhe udhëheqësin kinez, Mao Zedong, artisti krijoi versione të shumta të portretit të Monroe në ngjyra dhe konfigurime të ndryshme.
Ndër më të njohurit është “Marilyn Diptych”, në pronësi të grupit britanik Tate, ku artisti ka krijuar një rrjetë prej 50 portretesh në dy kanavaca. Diku tjetër, “Gold Marilyn Monroe”, në Museum of Modern Art (Muzeu i Artit Modern) paraqet një imazh të vetëm në një sfond të artë.
Në vitin 1964, Warhol zhvilloi një proces të ri “më të rafinuar, që kërkonte më shumë kohë”, i cili ishte “në kundërshtim me prodhimin në masë për të cilin ishte më i njohur” – thotë shtëpia e ankandeve Christie’s.
Atë vit, ai e përdori këtë teknikë për të krijuar një numë të kufizuar portretesh – një grup i rrallë veprash të cilit i përket edhe “Shot Sage Blue Marilyn” – para se ta braktiste atë.
Mendohet se disa piktura kanë arritur çmime më të larta se 200 milionë dollarë në shitjet private (duke përfshirë veprat e piktorëve ekspresionistë abstraktë Willem de Kooning dhe Jackson Pollock).
Rekordi është arritur vetëm një herë në ankand nga vepra e Leonardo da Vinci – “Salvator Mundi”, e cila në vitin 2017 u shit më shumë se 450 milionë dollarë.
Rekordi për një pikturë të shekullit XX të shitur në ankand është 179.4 milionë dollarë, në vitin 2015, për veprën e Pablo Picasso “Les Femmes d’Alger (Version O)”.
Rekordi aktual në ankand për një vepër të Warhol mbahet nga “Silver Car Crash (Double Disaster)”, e cila ilustron pasojat shkatërruese të një aksidenti rrugor.
Vepra u shit për më shumë se 105 milionë dollarë thuajse një dekadë më parë. Shumë prej imazheve të Marilyn janë shitur në shifra të larta në vitet e fundit, ku “White Marilyn” e vitit 1962, u shit për 41 milionë dollarë në Nju Jork, në vitin 2014.
“Shot Sage Blue Marilyn”, ka qenë në pronësi të një sërë koleksionistëve të profilit të artë para se të blihej nga tregtari i ndjerë i artit zviceran, Thomas Ammann.
Vepra po nxirret në ankand nga “Fondacioni Thomas and Doris Ammann” në Zyrih, organizatë bamirëse e krijuar në emër të tij (dhe së motrës), e cila do t’i përdorë të ardhurat për të financuar programe shëndetësore dhe arsimore për fëmijët në botë, sipas një njoftimi për shtyp.
Në një komunikatë për shtyp, presidenti i shtëpisë së ankandeve për artin e shekullit XX dhe XXI, Alex Rotter, e përshkroi veprën si “kulmi absolut i Pop-it amerikan” dhe “vepra më e rëndësishme e shekullit XX që do të dalë në ankand në një gjeneratë”.
Pranë “Nascita di Venere” së Botticelli, “Monna Lisa” së Da Vinci dhe “Les Demoiselles d’Avignon” të Picasso, “Marilyn” e Warhol është, në mënyrë të padiskutueshme, një nga veprat më të bukura të të gjitha kohërave, – tha z. Rotter./monitor/