Lajme
Një person i vdekur nga sulmet e reja në Kiev
Demokracia
14:36 | 26 Qershor 2022
Ndërtesat e dëmtuara pas sulmeve me raketa në Kiev.

Share:

Një person ka vdekur dhe të paktën katër të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse me raketa në një lagje të Kievit, në orët e para të 26 qershorit.

Disa banorë është thënë se mund të kenë mbetur nën rrënoja, pasi një ndërtesë nëntëkatëshe është përfshirë nga flakët.

Bombardimi i Kievit ka ndodhur teksa forcat ushtarake ukrainase planifikojnë të rigrupohen, pas humbjes së qytetit të Severodonjeckut në lindje të shtetit.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka shkuar në lagjen ku ka ndodhur sulmi.

Lagjja, e njohur si Shevçenko, është nikoqire e universiteteve, galerive, bizneseve kulturore dhe restoranteve.

Klitschko ka thënë se disa viktima janë në spital, por ka edhe që kanë mbetur nën rrënoja.

Ai ka thënë se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar një vajzë shtatëvjeçare.

“Ajo është gjallë”, ka thënë Klitschko dhe “tani po tentojnë të shpëtojnë nënën e saj”.

Klitschko e ka konsideruar sulmin si përpjekje të Rusisë për të “frikësuar ukrainasit”, para samitit të NATO-s që mbahet në Madrid më 28 deri më 30 qershor.

Liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) do të mblidhen afër Mynihut më 26 qershor për të diskutuar masat pro-Ukrainës.

Rreth 600 kilometra në juglindje, forcat ukrainase kanë thënë se bënë “tërheqje taktike” nga qyteti i Severodonjeckut.

Mirëpo, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar në adresimin e tij ditor se Ukraina do të rimarrë të gjitha qytetet e humbura, prej nisjes së pushtimit rus në këtë shtet më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Të ngjashme