OpEd
Një paqe e negociuar, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës
Demokracia
12:15 | 29 Prill 2022

Share:

Nga Jeffrey Sachs “CNN”

Ekziston vetëm një përgjigje për luftën në Ukrainë: një marrëveshje paqeje. Strategjia e dyfishtë e SHBA-së, për ta ndihmuar Ukrainën që të sprapsë pushtimin rus duke vendosur sanksione të ashpra ekonomike dhe duke e furnizuar ushtrinë e Ukrainës me armatime të sofistikuara, ka të ngjarë të dështojë.

Ajo që nevojitet është një marrëveshje paqeje, e cila mund të jetë e arritshme. Por për të arritur në një marrëveshje të tillë, Shtetet e Bashkuara duhet të arrijnë një kompromis me NATO-n, diçka të cilën Uashingtoni deri më tani e ka refuzuar.

Putini e nisi luftën në Ukrainë dhe ka thënë se negociatat kishin arritur në një ngërç, por pa i përjashtuar ato. Por përpara se të fillonte lufta, Putini i paraqiti Perëndimit një listë kërkesash, duke përfshirë kryesisht ndalimin e zgjerimit të NATO-s në lindje.

Me sa duket Shtetet e Bashkuara, nuk ishin të gatshme të angazhoheshin në negociata. Por tani është koha që të të rishikohet kjo qasje. Por që negociatat të kenë sukses, edhe Putin duhet të tregojë gatishmëri për të bërë lëshime.

Qasja ndaj armëve dhe sanksioneve e Amerikës mund të tingëllojë bindëse në sytë e opinionit publik amerikan, por në fakt ajo nuk funksionon në skenën globale. Pasi gëzon pak mbështetje jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, dhe përfundimisht mund të përballet me një reagim politik negativ si brenda SHBA-së po ashtu edhe në Evropë.

Për cilindo që ka informacione mbi performancën e dobët të ushtrisë ruse dhe tmerret që ka shkaktuar ushtria ruse mbi civilët ukrainas, mund të duket sikur Rusia do të degradojë shumë shpejt në një vend të izoluar.

Por nuk është kështu. Sidomos vendet në zhvillim, kanë refuzuar t’i bashkohen fushatës  izoluese të Perëndimit, siç u pa së fundmi edhe në një votim të udhëhequr nga SHBA për ta larguar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Është e vërtetë që 93 vende e mbështetën këtë masë, por 100 vende të tjera jo (24 kundërshtuan, 58 abstenuan dhe 18 nuk votuan). Dhe në këto 100 vende jeton 76 për qind e popullsisë së botës. Ato mund të kenë pasur arsye jo ideologjike për të kundërshtuar nismën e SHBA-së, duke përfshirë edhe lidhjet tregtare me Rusinë.

Por është fakt se pjesa më e madhe e botës e ka refuzuar izolimin e Moskës, veçanërisht në shkallën që do të donte Uashingtoni. Sanksionet janë një element kryesor i strategjisë së SHBA-së. Ato nuk kanë gjasa që ta mposhtin Rusinë, por ka të ngjarë të imponojnë kosto të larta në mbarë botën.

Në rastin më të mirë, ato mund ta nxisin Rusinë drejt një marrëveshjeje paqeje. Por sanksionet ekonomike bartin jo pak probleme. Së pari edhe pse i shkaktojnë Rusisë probleme ekonomike, ato nuk kanë gjasa të ndryshojnë politikat ruse në ndonjë mënyrë vendimtare.

Për shembull, shihni sanksionet e ashpra që ka vendosur SHBA-ja ndaj Venezuelës, Iranit dhe Koresë së Veriut. Ato i kanë dobësuar këto ekonomi, por nuk e kanë ndryshuar politikën apo politikat e këtyre vendeve në mënyrat që ka synuar qeveria amerikane,transmeton CNA.

Problemi i dytë është se sanksionet janë të lehta për t’u shmangur, të paktën pjesërisht, dhe me kalimin e kohës ka të ngjarë të shfaqen shumë mënyra të shmangies së tyre.  Sanksionet e SHBA-së zbatohen në një mënyrë më efektive tek transaksionet në dollarë dhe që përfshijnë sistemin bankar amerikan. Por vendet që kërkojnë t’u shmangen sanksioneve, gjejnë mënyra për të kryer transaksione përmes mjeteve jo-bankare ose jo në dollarë.

Ne mund të presim një numër në rritje të transaksioneve me Rusinë në rubla, rupi, renminbi dhe monedha të tjera përveç dollarit amerikan. Problemi i tretë, i lidhur me të dytin, është se shumica e botës nuk beson tek sanksionet, dhe nuk mban anë në luftën Rusi-Ukrainë. Nëse shohim të gjitha vendet dhe rajonet që vendosin sanksione ndaj Rusisë – SHBA-ja, Britania, Bashkimi Evropian, Japonia, Singapori, Australia, Zelanda e Re dhe një pjesë e vogël vendesh të tjera – dhe popullsia e tyre e përbashkët përbën vetëm 14 për qind të popullsisë botërore.

Problemi i katërt është efekti bumerang. Sanksionet ndaj Rusisë dëmtojnë jo vetëm Rusinë, por të gjithë ekonominë botërore, duke shkaktuar ndërprerje tek zinxhirët e furnizimit, inflacion dhe mungesë ushqimesh në tregje. është kjo arsyeja pse shumë vende evropiane, ka të ngjarë të vazhdojnë të importojnë gaz dhe naftë nga Rusia, dhe pse Hungaria dhe ndoshta disa vende të tjera evropiane do të pranojnë ta paguajnë gazin rus në rubla. Efekti bumerang ka të ngjarë të dëmtojë gjithashtu edhe demokratët në SHBA në zgjedhjet e mesit të mandatit që mbahen në nëntor të këtij vitit, pasi inflacioni ka zhbërë përfitimet financiare reale të votuesve të tyre.

Problemi i pestë është kërkesa jo-elastike (pra e pandjeshme ndaj çmimit) për energji dhe eksportet ruse të grurit. Me zvogëlimin e sasisë së eksporteve ruse, çmimet botërore të këtyre mallrave do të rriten. Rusia mund të pakësojë eksportet e saj të grurit, por mund të arkëtojë thuajse të njëjtat ose me shumë të ardhura për shkak të çmimit më të lartë.

Problemi i gjashtë është i natyrës gjeopolitike. Vende të tjera – dhe më e rëndësishmja Kina – e shohin luftën Rusi-Ukrainë si një luftë në të cilën Rusia po i reziston zgjerimit të NATO-s në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse Kina argumenton vazhdimisht, se në lojë janë interesat legjitime të sigurisë së Rusisë.

SHBA-së i pëlqen të thotë se NATO është një aleancë thjesht mbrojtëse, por Rusia, Kina dhe të tjerët mendojnë ndryshe. Udhëheqësit rusë kanë kundërshtuar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes që kur nisi ky proces në mesin e viteve 1990 me Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë.

Pra shumë vende, sigurisht duke përfshirë edhe Kinën, nuk do t`i mbështesin presionet globale ndaj Rusisë, që mund të çojnë në zgjerimin e NATO-s. Pjesa tjetër e botës dëshiron paqen, dhe jo një fitore të Shteteve të Bashkuara ose NATO-s në një luftë me Rusinë.

SHBA-ja do të donte ta shihte Putinin të mundur ushtarakisht, dhe armatimet e NATO-s i kanë dhënë një goditje të madhe dhe të rëndë forcave ruse. Por është gjithashtu e vërtetë se Ukraina po shkatërrohet në këtë luftë. Rusia nuk ka gjasa të pranojë humbjen dhe të tërhiqet.

Moska ka shumë më tepër gjasa të përshkallëzojë veprimet e saj, madje potencialisht duke përdorur edhe armë bërthamore. Ndaj armët e NATO-s mund t’i shkaktojnë Rusisë kosto të mëdha, por nuk mund ta shpëtojnë Ukrainën. Kjo do të thotë se strategjia e SHBA-së në Ukrainë mund ta gjakosë Rusinë, por s’mund ta shpëtojë Ukrainën.

Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një marrëveshje paqeje. Në fakt, qasja aktuale do ta dëmtojë stabilitetin ekonomik dhe politik në mbarë botën, dhe mund ta ndajë botën në kampe pro-NATO-s dhe anti-NATO-s, diçka që do të ishte dëmtuese për SHBA-në në terma afagjatë.

Hapi kryesor që duhet te ndërmarrin tani SHBA, aleatët e NATO-s dhe Ukraina, është ta bëjnë të qartë se NATO nuk do të zgjerohet në Ukrainë për sa kohë që Rusia e ndal luftën dhe largohet nga Ukraina.

Natyrisht, negociatat mund të dështojnë nëse kërkesat e Rusisë mbeten të papranueshme. Por ne duhet të paktën të përpiqemi, për të parë nëse paqja mund të arrihet përmes neutralitetit të Ukrainës të mbështetur nga garancitë ndërkombëtare.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024