Me protestë do të fillojë java në Gjilan. Shoqata e të Verbërve, ajo “Handikos”, “Pema” dhe punëtorët e ndërmarrjes “Tregu” do të protestojnë para objektit komunal. Në shoqatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara në Gjilan thonë se Komuna nuk ua ka ndarë mjetet për ofrimin e shërbimeve ndaj komunitetit. E, punëtorët e “Tregut” kërkojnë rritje të pagave
Ndarje të mjeteve për ofrimin e shërbimeve ndaj komunitetit e rritje të pagave do të kërkohen nga Komuna e Gjilanit në protestën që do të mbahet të hënën para objektit të kësaj komune nga përfaqësues të punëtorëve të ndërmarrjes lokale “Tregu”, nga anëtarët e Shoqatës së të Verbërve, nga shoqata “Handikos” dhe nga shoqata “Pema”.
Nexhat Veseli, përfaqësues i 300 punëtorëve të ndërmarrjes, e cila krahas menaxhimit të tregut i ofron shërbime edhe Komunës në mirëmbajtjen e hapësirave publike, të rrugëve, disa shkollave dhe shtëpive të shëndetit, ka thënë se kërkesë e tyre është rritja e pagës nga 330 në 420 euro.
“Paga, ne jemi nën pagën minimale. Paga minimale dihet që është 350 euro, ne jemi nën pagën minimale dhe ne moti kemi kërkuar dhe jemi dakorduar me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, që paga të rritet për 70 euro, dhe vetë kryetari ka deklaruar në Kuvendin Komunal, më 5.9.2024, që do t’i rrisë pagat dhe të na e rrisë pagën në vlerën 420 euro”, ka thënë Veseli.
E Bajram Spahiu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, ka thënë se Komuna ende nuk i ka ndarë mjetet për këtë kategori e rrjedhimisht ka rrezik që Shoqata të shuhet.
“Ne si shoqatë, bashkë me shoqatën ‘Handikos’ kemi pasur një protestë të ngjashme më 8 korrik të këtij viti, por protesta nuk ka pasur efekt deri më tani. Nesër është organizuar një protestë tjetër prej ndërmarrjes ‘Tregu’, së cilës patjetër që do t’i bashkëngjitemi edhe ne shoqatat, sepse jemi në kushte të vështira, jemi në mbyllje sërish të shoqatave”, ka deklaruar Spahiu.
Mjetet nga Komuna e Gjilanit nuk janë ndarë as për shoqatën “Handikos”.
Kryetari i saj, Fatmir Shurdhani, ka thënë se, si pasojë, rrezikohet që si shoqatë të mos mund të ofrojë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
“Janë dëmtuar fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët kanë qenë duke marrë shërbimet e rehabilitimit në qendër, e që si pasojë e mungesës së financave, thjesht që nga maji, këto shërbime nuk janë ofruar”, ka deklaruar Shurdhani.
KOHA i ka nisur ditë më parë pyetje Komunës së Gjilanit lidhur me kërkesën e punëtorëve të Ndërmarrjes dhe të shoqatave, por nuk ka marrë përgjigje.