Lajme
Një muaj paraburgim për të dyshuarin që shpërtheu veturën e u.d drejtorit të QKUK-së
Demokracia
19:48 | 10 Maj 2025

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit B.K., i cili akuzohet për përfshirje në disa vepra penale të rënda. Paraburgimi është caktuar për një periudhë prej 30 ditësh.

Klan Kosova raportoi se B.K. është personi që dyshohet për vendosjen e eksplozivit në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari.

Sipas njoftimit nga gjykata, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ekzistojnë prova dhe dyshime të arsyeshme për përfshirjen e të dyshuarit në veprat penale: përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje.

“Gjykata konstatoj se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri”.

“Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale. Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme