Lajme
Një muaj paraburgim për të dyshuarin Korab Gashi për grabitjen në Suharekë
Demokracia
17:34 | 02 Korrik 2024

Share:

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit kryesor për grabitjen në Suharekë, Korab Gashi, që u arrestua të hënën mbrëma.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, gjyqtarja e procedurës Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 01.07.2024, dhe mund të zgjasë deri më datën 01.08.2024 ndaj të pandehurit K.G., për shkak të dyshimit zë bazuar se i ka kryer veprën penale Grabitja neni 317 par.4 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KP-së, dhe veprën penale Grabitja nga neni 317 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 33 (ndihma) të KP-së.” – thuhet në njoftim.

“Më 22 nëntor 2023, në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123”, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos” me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A:B:, , me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit B.B., B:I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari.”

“Dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të pa arritshëm, dhe që nga ajo kohë i njëjti ka qenë në arrati” – thuhet në njoftim.

Të ngjashme