Lajme
Një muaj paraburgim për shtetasin zviceran, i cili e hodhi argjentinasen nga dritarja e hotelit në Fushë Kosovë
Demokracia
16:37 | 02 Gusht 2023

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin zviceran, i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje’.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se personi me iniciale E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me ndjerën M.K.U, e ka privuar nga jeta duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit.

Viktima tani, kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme