Lajme
Një muaj paraburgim për shtetasin serb që u arrestua në Gazimestan
Demokracia
16:24 | 30 Qershor 2022

Share:

Nikolla Nedelkoviqit nga Beogradi, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 28 qershor, në Gazimestan afër Prishtinës, për “nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare”, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë avokatja Jovana Fillipoviq.

Më 28 qershor, disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit u mblodhën në Gazimestan për të shënuar Ditën e Shën Vidit (Vidovdan).

Po atë ditë Policia e Kosovës ua ka ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës dhjetë shtetasve të Malit të Zi, për shkak se pranë tyre janë gjetur rroba me mbishkrime që “nxisin urrejtje”.

Po ashtu, disa persona që morën pjesë në shënimin e Ditës së Shën Vidit në Gazimestan, përveç flamujve serbë, bartnin edhe flamuj rusë, si dhe bluza me shenjën Z, që është simbol i pushtimit rus ndaj Ukrainës. Por, Policia e Kosovës i ka konfiskuar veshjet me mbishkrimet e tilla.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë më 28 qershor Ditën e Shën Vidit në Gazimestan, si përkujtim të, siç thuhet, vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane në Kosovë, në vitin 1389, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Pikërisht në Gazimestan, më 28 qershor 1989, ish-presidenti i Serbisë, e më pas i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç mbajti një fjalim para dhjetëra mijëra serbëve, në të cilin ai nuk përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si një paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën datë në vitin 2001, Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e cila e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006 para vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.

 

Të ngjashme