Lajme
Një muaj paraburgim për drejtorin e Sekretariatit të KPK-së, arrest shtëpiak për asistenten e tij
Demokracia
18:36 | 03 Mars 2021

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi.

Ndërsa ndaj zyrtares së sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), M.B, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Lavdim Krasniqi po dyshohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, kurse zyrtarja tjetër, M.B po dyshohet për veprën penale “moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Lavdim Krasniqit dhe zyrtares së sekretariatit në KPK, me inicialet M.B.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të njëjtit po dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Të dy të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit aktualisht gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Drejtori i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe zyrtarja tjetër ishin shoqëruar të hënën për intervistim në polici, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Kurse, KPK, të martën, ka suspenduar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit (SKPK), Lavdim Krasniqi, me dyshimin për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhej në njoftim.

Tutje, KPK bën të ditur se është marrë vendim edhe për suspendimin e një zyrtareje të Sekretariatit, si e dyshuar për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.“Me qëllim të vazhdimit të funksionimit të administratës së sistemit prokurorial në përgjithësi, KPK-ja po sot caktoi Ushtrues të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Valdrin Krasniqin – Udhëheqës i Zyrës Ligjore”, njofton KPK.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024