Lajme
Një muaj paraburgim ndaj një të pandehuri, për vrasje në tentativë
Demokracia
10:26 | 18 Janar 2021

Share:

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit L.T, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehuri L.T dhe S.T, kanë tentuar të privojnë nga jeta një person, shkruan Demokracia.com

Sipas Gjykatës, me datën 14,08,2020, rreth orës 21:34, në Klinë, te parku i lojërave, për shkak të një mosmarrëveshjeje dhe përleshjeje fizike në mes të të pandehurve dhe të dëmtuarve, të pandehurit me tendencë që të privojnë nga jeta, të dëmtuarit në mënyrë që, të pandehurit gjatë përleshjes me thika godasin të dëmtuarit, duke shkaktuar lëndime trupore, të cilat në momentin e shkaktimit ishin të rrezikshme për jetën e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, të dëmtuarit dërgohen në spital, me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë.

“Me këto veprime të pandehurit S.T dhe L.T dyshohet se kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 173 par.1 pika 1.11 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Të pandehurit S.T i është caktuar masa e paraburgimit me datë 16.08.2020 ndërsa, i pandehuri L.T ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë deri me datë 15.01.2021 kur është arrestuar dhe është sjellë para gjykatës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do procedohen të dy të pandehurit të cilët janë vëllezër, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se të njëjtit mund të koordinojnë dhe harmonizojnë mbrojtjen e tyre si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë për ndryshimin e deklaratave të tyre, e me qëllim të shmangies apo zbutjes së përgjegjësisë penale si dhe të ndikojnë te të dëmtuarit dhe dëshmitarët e tjerë të cilët ende nuk janë procedura, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën në të cilën është kryer dhe fakti i kryerjes së veprës penale në një vend ku në momentin e kryerjes kanë qenë të grumbulluar një numër i madh i njerëzve, si dhe duke pas parasysh raportet e acaruara me të dëmtuarit, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë, mirëpo vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Demokracia.com

Të ngjashme