Ka kaluar fiks një muaj nga nisja e pushtimit rus dhe Ukraina është ende në këmbë.
Zhvillimet ditore atje po rezultojnë me pasoja të mëdha në njerëz e dëme të mëdha mbi pronat private e publike, por këto janë zhvillimet më të fundit në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë:
Fuqitë perëndimore takohen sot: Liderët botërorë janë në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s, teksa kërkojnë të harmonizojnë vendimet tyre ndaj pushtimit brutal të Rusisë. Një takim i Këshillit Evropian dhe G7 do të zhvillohet gjithashtu të enjten e sotme. Burime të shumta i kanë thënë CNN se një kohë e konsiderueshme do të shpenzohet duke diskutuar se si duhet të përgjigjet aleanca nëse presidenti rus Vladimir Putin përdor armë kimike ose biologjike kundër qytetarëve ukrainas. Presidenti Joe Biden do të prezantojë sanksione të reja ndaj figurave politike dhe oligarkëve rusë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të shpallë një ‘paketë të re të mbështetjeje ushtarake’ për Ukrainën.
Gazetarja e vrarë: Oksana Baulina, e cila punonte për sajtin e pavarur të lajmeve The Insider, u vra gjatë bombardime në Kiev. Ajo është gazetarja e pestë e vrarë në Ukrainë gjatë këtij muaji lufte, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe aktivistëve të lirisë së shtypit.
Thirrje për demonstrata në mbarë botën: Presidenti Volodymyr Zelensky po bën thirrje për protesta globale në mbështetje të Ukrainës. Zelensky i kërkoi botës të bashkohet kundër pushtimit të Rusisë, duke thënë se “lufta e Rusisë nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës, por qëllimi i saj është shumë më i gjerë”.
Fitoret e Ukrainës: Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se forcat ukrainase i kanë shtyrë pushtuesit rusë të kthehen në vijën e frontit në lindje të Kievit. Forcat ruse janë rreth 55 kilometra nga qendra e qytetit të Kievit në lindje. Tani kanë kaluar rusët në pozicion mbrojtjeje.
Krimet e luftës: Qeveria amerikane deklaroi zyrtarisht se anëtarët e forcave të armatosura ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken citoi ‘raporte të besueshme’ për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve dhe sulmet pa dallim, duke përfshirë shkatërrimin e ndërtesave të banimit, shkollave dhe spitaleve. Një diplomat i lartë rus mohoi se Rusia po kryente krime lufte në Ukrainë.