Sport
Një minutë në pesë ndeshjet e fundit, e ardhmja e Asllanit te Interi vendoset në pikëpyetje
Demokracia
11:22 | 07 Mars 2023

Share:

Një minutë në pesë ndeshjet e fundit ka pasur në dispozicion Kristjan Asllani, që duket tashmë i zhdukur nga radarët e Simone Inzagit.

Prej një muaji, trajneri nuk e ka preferuar, jo vetëm si titullar, por as si alternativë, duke e vendosur të fundit në hierarkinë e mesfushës.

Aktivizimi i Roberto Galjardinit para tij ndaj Leçes, edhe pse largimi i italianit në fund të sezonit është i sigurt, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për të ardhmen e elbasanasit dhe raportin e tij me trajnerin. Jo më kot në fund të ndeshjes, 46-vjeçari u pyet konkretisht për mesfushorin dhe vendosjen taktike të tij.

“Mund ta bëjë edhe fantazistin, por bën më mirë organizatorin”, u shpreh Inzagi për 20-vjeçarin që ka zbritur në fushë vetëm një minutë në derbin e 5 shkurtit, ndërkohë që për të gjetur ndeshjen e tij të fundit si titullar duhet të kthehemi në 8 tetor, në sfidën ndaj Sasuolos.

Në total 555 minuta për Asllanin në të gjitha kompeticionet, pak për një mesfushë ku një konkurrent i tij është drejt largimit dhe një ka qëndruar jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit.

Mundësia e munguar për një lojtar për të cilin janë paguar 14 milionë euro po shndërrohet në çështje jo vetëm për Kristjanin, por edhe për gjithë tifozët zikaltër. /Demokracia.com

Të ngjashme