Lajme
Një “mal” shkeljesh në tenderët e komunës së Përparim Ramës, auditori nuk e shënjestroi “Arkitektin e Kryeqytetit”
Demokracia
15:19 | 02 Korrik 2024

Share:

Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Përparim Rama dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është përballur me akuza të rënda për shkelje të rregullave të prokurimit publik gjatë vitit 2023. Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka zbuluar se një sërë tenderësh të dhënë nga komuna e Përparim Ramës që janë përfshirë në parregullsi të shumta, duke përfshirë përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë të papërgjegjshëm, mangësi në procesin e vlerësimit të tenderëve dhe pagesa për punë të papërfunduara. Këto zbulime vënë në pikëpyetje integritetin dhe transparencën e procesit të prokurimit në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

Pavarësisht gjetjeve të shumta në prokurim është e çuditshme sesi ZKA-ja nuk e ka shënjestruar fare kontratën e shumëpërfolur 12 milionë euro “Konsulencë për themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Demokracia.com është në pritje të një përgjigje nga Zyra e Informimit të ZKA-së se përse nuk është audituar kontrata e “Arkitektit të Kryeqytetit”.

Megjithëkëtë, auditori ka evidentuar shumë dallavere tek lidhja e kontratave.

ZKA-ja ka gjetur se komuna ka përzgjedhur operatorë ekonomikë të papërgjegjshëm. Në këto procedura të prokurimit është vërejtur mangësitë në procesin e vlerësimit, si në vijim:

Në dosjen e tenderit për projektin “Ndërtimi i rrugës Abedin Dino Kolovice, faza e parë ritender kontrata e nënshkruar në vlerë 676,087€, tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale është kërkuar që OE të sigurojë: pajisjet/mjetet e punës: Kamion me kapacitet mbi 20 m³ kiper 6 Cope. OE i shpallur i përgjegjshëm/fitues në këtë tender, kishte siguruar vetëm një kamion me kapacitetin e kërkuar, ndërsa pesë kamionë të tjerë janë nën kapacitetin e kërkuar në dosjen e tenderit”.

Më tutje, sipas ZKA-së, ishte kërkuar të sigurohet: Raporti i vlerësimit të riskut në vendet e punës, nga një kompani e licencuar nga MPMS, për siguri dhe shëndet në punë – Kopja e raportit të vlerësimit të riskut në vendet e punes; OE fitues lidhur me këtë kërkesë kishte siguruar një raport të vlerësimit të riskut, të cilit i kishte kaluar validiteti pesë muaj para datës së njoftimit për kontratë.

Auditori ka vërejtur se në këtë tender, oferta fituese ishte oferta më e shtrenjtë nga ofertat e pranuara, pasi ofertat tjera ishin vlerësuar të papërgjegjshme.

“Në dosjen e tenderit për projektin “Ndërtimi i mbikalimit tek stacioni i trenit”, kontrata e nënshkruar në vlerë 548,8456, në dosjen e tenderit tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale është kërkuar që OE të sigurojë: pajisje/mjetet e punës: Ekskavator me goma minimum 19 ton si dhe Eskavator me goma minimum 17 ton. OE i shpallur i përgjegjshëm/fitues, për këtë kërkesë kishte siguruar dy fatura të blerjes së pajisjeve dhe asnjë dokument që verteton kapacitetin e kërkuar të këtyre mjeteve të punës”.

Në dosjen e tenderit për kontratën “Vendosja e kamerave në kryeqytet” me vlerë totale indikative 1,350,000€, tek kërkesat e përshtatshmërisë profesionale ishte kërkuar që OE duhet të ofrojë çertifikatat a) ISO 9001 2015; b) ISO 14001 2015; c) ISO 45001 2018. Auditori ka vërejtur se OE fitues, në listën e certifikatave ISO të ofruara ishte siguruar vetëm ato të partnerit të dytë të koncorziumit, por jo edhe të partnerit të parë. “Për këtë çështje, Komisioni përkatës gjatë Vlerësimit të tenderit ka kërkuar sqarime shtesë. Ne kemi vërejtur se ofrimi i informacionit në lidhje me dokumentet e ofruara e ka ndryshuar gjendjen ekzistuese të dokumentacionit të kërkuar në dosje të tenderit, pasi që datat e lëshimit të certifikatave ishin gjatë kohës së vlerësimit të tenderit dhe Komisioni i ka marrë si të mirëqena, gjë bie ndesh me nenin 38 të Rregullores së prokurimit publik, i cili thekson se gjatë sqarimit të tenderit, AK mund të kërkojë sqarime shtesë nga OE, mirëpo duhet të prezantojnë prova të mjaftueshme që në mënyrë te arsyeshme pasqyrojnë gjendjen ekzistuese para datës së publikimit të Njoftimit për kontratë”.

Tutje në raport thuhet se në dosjen e tenderit për kontratën “Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve Lot 7” me vlerë indikative prej 393,1890, tek neni 13.3 theksohet se ndonjë tender që nuk është shoqëruar me një sigurim të përgjegjshëm të tenderit, tenderi do të refuzohet si tender i papërgjegjshëm dhe neni 13.4 thekson se forma e sigurisë se tenderit është e specifikuar në Aneksin 4 të kësaj dosje të tenderit. Gjatë ekzaminimit të ofertës së fituesit, auditori ka vërejtur që siguria e tenderit e dorëzuar në vlerë 8,600 euro nuk ishte e përgjegjshme, pasi që kushtet për të cilat kompania e sigurimit është zotuar të paguajë në rast se operatori ekonomik ka bërë gabime që nuk përkojnë me kushtet e përcaktuara sipas formës së sigurisë së tenderit të kërkuar në dosje të tenderit si: refuzimi i tenderuesit apo dështimi të plotësojë që të depozitojë sigurinë e ekzekutimit të specifikuar në Dosjen e Tenderit; plotësimi i të gjitha kushteve që i paraprijnë nënshkrimit të kontratës në fjalë, siç është përcaktuar në Dosjen e Tenderit; apo lidhja e kontratës që u përshtatet afateve dhe kushteve të saktësuara në dosjen e tenderit.

“Këto mangësi kishin ndodhur si pasojë e vlerësimit jokorrekt apo moskompetencës së komisioneve të vlerësimit, për t`i vlerësuar me kujdes ofertat dhe për t’i analizuar dëshmitë e ofruara në raport me kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit. Po ashtu, për raste të caktuara, mosaplikimi i qartë i specifikave që duhet t’i plotësojnë anëtarët e grupit duke përcaktuar dëshmitë që duhet të sillen nga secili anëtar i grupit së bashku me tenderin e tyre. Përzgjedhja e operatorëve ekonomikë fitues, të cilët nuk i plotësojnë në tërësi kërkesat në dosjen e tenderit, rrezikon cilësinë e realizimit të kontratës, si dhe besueshmërinë në procesin e prokurimit. Mungesa e sigurisë së tenderit sipas formës se kërkuar ndikon ne pamundësinë e tërheqjes se sigurisë së tenderit nga Komuna në rast se operatori nuk iu përmbahet mbulesave të parapara në dosje të tenderit”, ka thënë auditori lidhur më kontratat e lartshënuara, raporton Demokracia.com.

Realizimi i sasive të kontratave publike kornizë, në mospërputhje me peshët e përcaktuara në dosje të tenderit

Bazuar në Rregulloren nr.001/2022 për prokurimin publik, neni 17.35, Kurdo që Autoriteti kontraktues nuk din sasitë indikative, kontratat me çmime për njësi, AK duhet të përcaktojë peshët në bazë të rëndësisë së secilës “kategori të shërbimeve” në mënyrë që AK të përcaktojë se cila është oferta me çmim më të ulët në bazë të poentimit. Si rrjedhojë, peshimi i artikujve duhet bërë bazuar në peshën dhe rëndësinë e kategorisë përkatëse, që do të thotë se sasia e realizuar (shpenzuar) nuk mund dhe nuk duhet tẻ ndryshojë nga raportet sipas peshës së dhënë në Dosjen e Tenderit. Menaxheri i kontratës mbetet përgjegjës që të dëshmojë në mënyrë të qartë se sasia e porositur dhe shpenzuar është në harmoni me peshën e dhënë dhe me nevojat reale të AK.

Auditori ka gjetur se në shtatë kontrata publike kornizë me çmime për njësi, vlera e shpenzuar e një kategorie të caktuar, ka tejkaluar vlerën e lejuar për shpenzim sipas peshimit. Bëhet fjalë për kontratat si në vijim: Në kontratën “Ndërtimi i semaforëve, modernizimi, ndërtimi i paneleve ndriçuese dhe matësve të shpejtësisë” me vlerë të parashikuar 450,000€, kategoria B e specifikave është peshuar me 30% të kontratės apo lejim të shpenzimit deri në vlerë 135,000€, ndërsa ishte tejkaluar duke u realizuar në vlerë 274,927€ apo 60% e vlerës së kontratës; Në kontratën “Ndërtimi dhe sanimi i kanalizimeve” në vlerë 500,000€, në dosjen e tenderit, pozicionit që më së shumti i ishte dhënë peshë në bazë të rëndësisë ishte pozicioni “Punët Montuese” me 30%, ndërsa ky pozicion ka pasur më së paku realizim në kontratë, me vetëm 7% të realizimit. Më tutje, tek tri pozicione, sipas auditorit, ka tejkalim të realizimit, sikurse: punët përgatitore ishin peshuar me 12.5% ndërsa janë realizuar 20%, punët e dheut janë planifikuar 12.5% e kontratës ndërsa janë realizuar 44%, si dhe testimi i rrjetit është peshuar me 4% ndërsa është realizuar 13%.

Auditori ka vërejtur një tjetër shkelje të rendë të kësaj natyre në një kontratë tjetër. “Në kontratën “Intervenime infrastrukturore në Komunën e Prishtinës Lot 1 në vlerë 400,000€, në pozicionin e riparimeve, peshimi ishte 39.5%, apo lejim i shpenzimit deri në vlerë 158,000€, ndërkaq realizimi në këtë kategori ishte bërë 178,739€ apo deri në 45% të kontratës. Po ashtu, në pozicionin e tamponit, ku peshimit ishte vendosur 11.5%, apo deri në 46,000€, realizimi ishte bërë 71,751€ apo 18% e kontratës”.

Po ashtu, ne kontratën “Plani i mobilitetit-shenjëzimi i shtigjeve të bicikletave me vlerë të parashikuar 495,000€, tek kategoria A, e cila peshën e kishte 50% të kontratës, apo deri në 247,500€, realizimi ishte 284,645€, apo 57% e kontratës; si dhe te kontrata “Sinjalizimi horizontal dhe vertikal Lot 1” në vlerë 450,000€, tek kategoria e parë me peshim 80%, ku vlera totale e lejuar e shpenzimit ishte 360,000€, shpenzimi i realizuar ishte 403,822€ apo 90% e kontratës.

“Tejkalimi i shpenzimit të sasive të lejuara sipas peshës që iu është caktuar në dosjen e tenderit dhe në kontratë, ndikon në mungesë të transparencës në vendimmarrjen për zgjedhjen e ofertës me çmimin më të ulët. Kjo poashtu, mund të ndikojë në rritjen e shpenzimeve të planifikuara buxhetore”, ka shkruar ZKA.

Pagesa për punë të papërfunduara sipas kontratës dhe dëmtimi i punimeve ende pa u përfunduar kontrata

Bazuar në nenin 70.23 të rregullores 001_ 2022 të prokurimit publik, thuhet se menaxheri i kontratës do të sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë. Poashtu, neni 8.7 i kontratës thekson se kontraktuesi do të sigurojë cilësinë e punës dhe për cilësinë e materialeve që janë përdorur për realizimin e punëve të kontraktuara.

Lidhur me kontratën “Renovimi i SHFMU Meto Bajraktari”, në vlerë 184,988 euro, nënshkruar me datë 06.06.2023, auditori ka bërë ekzaminimin fizik të punëve të kryera, me datë 20.03.2024, lidhur me situacionet e paguara deri në fund të vitit 2023, në vlerë 160,112€. Nga ekzaminimi fizik, është vërejtur mangësitë si në vijim:

  • Tek pozicioni 3 i kontratës që përfshinë “Punet e suvatimit dhe muratimit”, ku eshte paraparë punimi i pozicionit te recepsionit sipas detalit të dhënë nga AK dhe specifikat tjera lidhur me këtë pozicion janë të përshkruara brenda pozicionit, në vlerë 900€, kemi vërejtur se ky pozicion nuk ishte realizuar sipas kontratës, megjithate ishte pranuar nga menaxheri i kontratës dhe ishte paguar;
  • Tek pozicioni 5.1 i kontratës që përfshinë “Furnizimi me material dhe montimi i pllakave të granitit natyral me trashësi 2 cm për ambiente të jashtme” në vlerë 3500€, pllakat e vendosura në shkallët e jashtme të shkollës ishin dëmtuar;
  • Tek pozicioni 7 i kontratës që përfshinë “Furnizimi, transporti dhe punimi i dyerve metalike nga çeliku të kualitetit të lartë për përdorim të shpeshtë në të gjitha klasët dhe hapësirat e tjera të shkolles, 50 dyer” një pjesë e këtyre dyerve ishin dëmtuar. Dëmtime poashtu kishin pësuar si pozicionet që kishin të bëjnë me “furnizimin, transportin dhe ngjyrosjen e mureve të brendshme”.

Pagesat për punë të papërfunduara kishin ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të kontrolleve në menaxhimin e kontratave, ndërsa dëmtimi i furnizimeve dhe punëve të kryera rezulton me cilësi të dobët të punëve të realizuara. Dëmtimet e mureve të ngjyrosura kishin ndodhur si pasojë e vendosjes së dritareve nga një kontratë tjetër paralele që komuna kishte nënshkruar.

Pagesa për punë të papërfunduara dhe mospërmirësimi i punëve të dëmtuara, ndikon në shpenzime të paarsyetuara dhe rrezikon mosarritjen e cilësisë dhe objektivave të projektit, duke përfshirë përmirësimin e kushteve të shkollës.

Dyfishim i pozicioneve në paramasë në kontratat për të njëjtin projekt

Sipas nenit 28 të LPP 2. Autoriteti kontraktues do t’i përpilojë specifikimet teknike në atë mënyrë që ato të jenë në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe të drejtuara drejt sigurimit të qasjes sa më të mirë për të gjithë operatorët e interesuar ekonomik dhe tenderuesit. Bazuar po në këtë nen dhe nenit 10.1 të Rregullores nr.001_2022, njësia e kërkesës e cila është inicuese e kërkesës për prokurim, ndër të tjera ka përgjegjësi të sigurojë që specifikat teknike për kontratat e punës duhet të përcaktojnë në mënyrë të saktë natyrën dhe karakteristikat e performancës së punëve të kërkuara.

Lidhur me projektin “Ndërtimi i tribunës lindore të stadiumit 2 korriku” gjatë vitit 2023, auditori ka vërejtur se ishin lidhur dy kontrata. Kontrata e parë ishte lidhur në mars të vitit 2023 dhe derisa kjo kontratë ishte në fazën e ekzekutimit, ishte lidhur kontrata për fazën e dytë të projektit në nëntor të të njëjtit vit, përmes procedurës së hapur, me po të njëjtin OE. Kontrata e dytë ende nuk kishte filluar ekzekutimin.

Ne kemi vërejtur se në paramasën e kontratës së dytë ishin vendosur disa pozicione të njëjta sikurse në paramasën e kontratës së parë, por që në kontratën e dytë ishin kontraktuar me çmime më të larta. Këto pozicione të përsëritura ishin tek “Punët e betonit”, duke flluar nga pozicioni 3.2 deri tek 3.8 në vlerë 11,015€, si dhe “Punët e muratimit” pozicionet 6.1 dhe 6.2 në vlerë 8,550€. Sasia e këtyre pozicioneve në kontratën e parë ishte në përputhje me planin ekzekutues, ndërsa përsëritja e tyre në kontratën e dytë nuk kishte arsyeshmëri nga njësia e kërkesës.

“Përsëritja e pozicioneve për punë të njëjta në kontrata të ndryshme, rrezikon pagesën e dyfishtë për punë të njëjta”, ka konstatuar auditori.

Ndryshimet në kushtet e kontratës pa aprovimet e duhura

Bazuar në Rregulloren nr.001/2022 për prokurimin publik, neni 71.1 Ndryshimi i kontratës i referohet një ndryshimi në termat dhe kushtet e një kontratë të shpërblyer. Ndryshimi i kontratës iniciohet nga Menaxheri i kontratës. Në rast të kontratave për punë nevojitet aprovimi paraprak i projektuesit. Aty ku ndryshohet kontrata me qëllim të ndryshimit të termave dhe kushteve fillestare, ndryshimi i kontratës do të përgatitet nga departamenti i prokurimit. Ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet Operatorit ekonomik para marrjes së aprovimit nga ZKA.

ZKA ka vërejtur se në tetë kontrata për punë, ka pasur rritje në sasitë e realizuara të pozicioneve të caktuara, por pa e ndryshuar vlerën totale të kontratës, të autorizuara nga menaxherët e kontratave. Për këto ndryshime, nuk kishte amandamentim të kontratës, nuk ishte kërkuar aprovimi zyrtar nga projektuesi dhe as nga Kryetari i Komunës.

Ndryshimet në sasitë e kontraktuara, sipas auditorit, kishin ndodhur në kontratat si në vijim: • Në kontratën “Vazhdimi i punimeve në shkollën Nëna Terezë” në vlerë 412,240€, kishte rritje të sasive të realizuara në katër pozicione • pozicionet e kontraktuara; të kontratës në vlerë 13,678€, apo deri në 140% rritje të sasive në në kontratën “Ndërtimi i tribunës lindore për stadiumin 2 Korriku” në vlerë 108,381€, kishte rritje të sasive të realizuara në tri pozicione në vlerë 9,215€, apo deri në 79% rritje të sasive në pozicionet e kontraktuara;

Në kontratën “Rikonstruimi i rrugës Malush Kosova” në vlerë 386,259€, kishte rritje të sasive të realizuara në dy pozicione, ku rritja ishte në vlerë 7,574€, apo deri në 233% të sasisë për pozicionin e kontraktuar;

  • Në kontratën “Renovimi pushimores për të moshuarit në Istog në vlerë 61,693€, rritja e sasive në pozicione ishte në vlerë 4,800€, apo deri në 174% të sasisë për pozicionin e kontraktuar;
  • Në kontratën “Ndërtimi i rrugës Shkendija në ZIlatar” në vlerë 1,233, 392€, kishte rritje te sasise në nentë pozicione me vlere gjithsej 16, 803€, apo deri ne 123% te sasise per pozicionin e kontaktuar • Në kontraten “Ndërtimi i zhveshtores dhe tribunës për stadiumin KF Flamurtari”, në vlerë 177,684€, kishte ritje të sasisë në tetë pozicione të kontraktuara, në vlerë 34,442€, apo deri në 528% të sasisë për pozicionin e kontraktuar;
  • Në kontratën “Regjerenimi i rrugës Mehmet Kaçurri” në vlerë 371,856€ kishte rritje të sasisë në katër pozicione në vlerë 4,289€ apo deri në 1,150% ritje të sasive në pozicionet e kontraktuara; Këto kishin ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të kontrolleve në menaxhimin e kontratave, si dhe mosplanifikimit të mirëfilltë të projekteve,

Ndryshimi i paramasës së kontraktuar, në mungesë të aprovimeve të duhura dhe dëshmive se janë bërë analiza specifike për këto ndryshime, rrezikon që realizimi i punëve të mos jetë konform kërkesave të projektit dhe krijon mundësinë për manipulime me pozicionet dhe paramasat e tenderit fillestar. Kjo rrjedhimisht mund të shpie në tejkalimin e kontratës.

Subvencionimi i OJQ-ve pa thirrje publike

Sipas nenit 2.1 të Rregullores MF-nr. 04/2017 – Mbi kriteret, standardet e financimit publik të Organizatave Jo Qeveritare (OJQ) parashihet që, financimi i projekteve dhe programeve të OJQ-ve bëhet sipas një thirrje publike, dhe të cilat i plotësojnë kriteret e Rregullores.

ZKA- ja ka gjetur se në pesë raste në vlerë 260,838 euro, komuna kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve duke mos aplikuar thirrjen publike, por vetëm me vendim të Kuvendit Komunal. Këto subvencione kishin të bëjnë me fushën e sportit, sikurse përkrahjen e pjesëmarrjes në gara sportive, si dhe me projekte tjera që ndërlidhen me aktivitetet në shkolla dhe me nxënësit. Përveç kësaj, në tri raste, marrëveshjet me OJQ ishin lidhur pas pagesës së mjeteve.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të mosfunksionimit të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së përgjegjësisë për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me subvencionimin e OJQ-ve. Subvencionimi i OJQ-ve vetëm me vendim të Kuvendit Komunal, pa bërë thirrje publike, përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtimin jo të barabartë të OJQ-ve. Përderisa, mos aplikimi me kohë i marrëveshjeve mes përfituesit dhe komunës, ndikon që përfituesit të mos jenë të përgjegjshëm në përmbushjen e detyrimeve që përcaktohen në marrëveshje”, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

Porosia ndaj kompanisë për sigurimin fizik e jashtëligjshme dhe aplikim i standardit të dyfishtë me rastin e pagesës

Sipas nenit 54, pika 17 të Rregullores për prokurim publik thekson që kontratat që dalin prej kontratës publike kornizë mund të vazhdohen përtej afatit të skadimit të kontratës publike kornizë, që nënkupton se nëse kontrata ndihmëse ose bërja e urdhrit është dhënë pak kohë para se kontrata publike kornizë të skadojë, dërgesa mund të bëhet pas datës së skadimit. Tek kontrata publike kornizë “Sigurimi fizik i objekteve dhe institucioneve komunal Lot 1” me vlerë indikative prej 397,958.88 euro (+/- 30%) valide deri më 19.07.2023, auditori ka vërejtur se komuna kishte bërë pagesë për një muaj në vlerë prej 43,470.46€ jashtë afatit të kontratës. Shërbimet nga OE ishin pranuar edhe pas skadimit të kontratës me urdhrin përmes emailit nga menaxheri i kontratës (datë 11.07.2023), e mbështetur nga interpretimi i zyrës së prokurimit dhe zyrës ligjore. ZKA ka konstatuar se bërja e urdhrit (porosisë) nuk ishte dëshmuar përmes urdhërblerjes brenda afatit ligjor të kontratës ashtu siç e kërkon rregullorja, pasi që fillimisht është pranuar fatura. Ndërsa, një faturë tjetër si derivat i kësaj kontrate në vlerë prej 24,541 euro për shërbime të sigurimit fizik në Drejtorinë e Arsimit nuk është paguar me arsyetimin se janë kryer punimet jashtë afatit të kontratës.

“Mos shpallja me kohë e procedurës së prokurimit për këtë qëllim ka rrezikuar që komuna të mbetet pa shërbime të sigurimit fizik dhe të mos respektohen dispozitat ligjore në lidhje me porositë tek OE, duke krijuar mundësinë që të shkaktojë shpenzime më të larta se çmimi aktual përkatës i tregut. Mosrespektimi i hapave për procedimin e pagesës mund të shkakton rritjen e obligimeve komunale ndaj operatorëve ekonomikë”, ka shkruar auditori në raport.

Më poshtë mund të shihni edhe një serë gjetjesh tjera të auditorit lidhur me pasqyrat financiare të Komunës së Prishtinës për vitin 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme