Nga Jonathan Haslam “Financial Times”
Vetëm disa javë përpara se Vladimir Putin të niste atë që ai synonte të ishte një Blitzkrieg (sulm i rrufeshëm) 2-ditor në Ukrainë, duke habitur edhe disa nga njerëzit e rrethit të tij të ngushtë, ai u takua me Xi Jinping në një samit në Pekin.
Botës iu duk sikur kinezët mund të ishin implikuar në atë që është basti më i madh i karrierës politike të Putinit në politikën e jashtme. Nëse Putin do të kishte pasur sukses, kjo çështje mund të mos kishte dhe aq rëndësi.
Vënia para faktit të kryer, do të kishte krijuar të çara në gjirin e NATO-s, duke shkaktuar akuza përtej Atlantikut, dhe në të dyja anët e lumit Rin. Por dështimi katastrofik i Putinit është i turpshëm edhe për Xi. Për Kinën, egërsia e hakmarrjes perëndimore ndaj Putinit, dhe rreziku që vjen qoftë edhe nga lidhjet më minimale me të, e ka ndërlikuar shumë raportin midis 2 vendeve.
Shiheni këtë çështje nga këndvështrimi i Pekinit. Kur gjithçka është mirë, Moska nuk ndihet; dhe as që i bie telefonit. Por kur Rusia bën ndonjë marrëzi pa asnjë paralajmërim dhe përfundon në telashe, atëherë rusët turren tek telefoni dhe i luten Pekinit për ndihmë.
Nuk ka asnjë problem kur interesat thelbësore të përbashkëta i kundërvihen Islamit militant në Azinë Qendrore dhe Jugore. Por shumicën e kohës, Rusia është në një përballje me Gjermaninë dhe BE-në, ose Amerikën dhe NATO-n, madje kur shpërqendrohet disi duke mbështetur diktaturën siriane, kur përzihet në lojëra vdekjeprurëse në Libi, apo kur kërkon e zhgënjyer një përgjigje ndaj ekspansionizmit turk në jug dhe në lindje.
Megjithatë, fakt është se Rusia përballet me Perëndimin, por po i drejtohet Kinës për ndihmë. Dhe Pekini e konsideron Rusinë si çdo tjetër përveçse jo një vend evropian. Prandaj, kur Rusia has vështirësi përballë Perëndimit, dhe fillon ta projektojë veten si euroaziatike, Kina mund të justifikohet që nuk u afrua dhe aq shumë me Moskën.
Shumë kohë përpara akuzave për mizori në Ukrainë, në tetorin e vitit 2020, Rusia po shndërrohej me shpejtësi në një vend famëkeq për rrafshimin e shkollave dhe spitaleve në Siri, në një përpjekje për të shpëtuar fytyrën dhe për të fituar një luftë të dështuar në emër të Bashar Al-Asadit.
Në atë kohë, Putin sugjeroi se “nuk mund të përjashtohej” një aleancë me Kinën. U deshën disa muaj negociatash, por në fund ministria kineze e mbrojtjes refuzoi. Sot situata nuk është shumë më ndryshe. Kur u takuan në fillim të shkurtit, Putini siguroi një deklaratë të përbashkët nga Xi, ku lavdërohej miqësia mes të dyve, gjë që në thelb i shtoi shumë pak asaj që ekzistonte tashmë.
Asgjë nuk ishte “përjashtuar” në këtë marrëdhënie, e cila mund të tingëllojë si kuptimplotë për të dëshpëruarit, ndonëse me tone paksa negative. Xi argumentoi se duke qenë se të dy kanë një marrëdhënie kaq të afërt, ata s’kanë nevojë të zyrtarizojnë asgjë, pasi marrëdhënia e tyre është “superiore ndaj aleancave politike dhe ushtarake të epokës së Luftës së Ftohtë”.
Prandaj, të mosspasurit e një aleance, është disi më kuptimplotë sesa të pasurit e një të tillë. Diçka kjo zhgënjyese edhe për më optimistin. E çfarë do të përfitonte Kina nga përfshirja
në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin? Në realitet, kinezët kanë gjithçka për të humbur. Shifrat e tregtisë e përcaktojnë përfundimin për të dyja palët. Megjithëse u rrit vitin e kaluar në një rekord prej 147 miliardë dollarësh, tregtia midis Rusisë dhe Kinës, është shumë e vogël sesa volumi tregtar midis Kinës me BE-së dhe SHBA-në, një total prej 1.4 trilion dollarësh në vitin 2021.
Çfarë ka për të ofruar në këmbim Rusia, që do të kompensonte dëmin e mundshëm të lidhjeve tregtare të Kinës me Perëndimin? Tek e fundit, presidenti amerikan Xho Bajden po lehtëson masat proteksioniste të paraardhësit të tij. Sado të mirëpritura që mund të jenë, edhe më shumë gaz natyror dhe naftë rus me kushte të favorshme, ato nuk janë zëvendësuese të volumit tregtar me Perëndimin.
Dhe a janë vërtet një pazar i mirë eksportet e armëve ruse drejt Kinës? Pastaj është edhe Ukraina, aftësitë e së cilës nuk duhen nënvlerësuar. Ajo ndihmoi në ndërtimin e aeroplanmbajtëses së parë të Kinës, dhe u dha mundësi kinezëve të rindërtonin avionët luftarakë rus Su-27.
Kina është partnerja më e madh tregtar e Ukrainës, dhe Kievi është pjesë e Nismës së Brezit dhe Rrugë, duke rigjallëruar rrugët e vjetra tregtare kineze. Edhe pse tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë u rritën ndjeshëm, sidomos që nga viti 2020, midis Kievit dhe Pekinit u nënshkruan kontrata të reja bashkëpunimi.
Por Moska duket se do t’i ndërlikojë marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në dhe BE-në, dhe kjo tërësisht për llogarinë e vet. Në fillim të luftës, Pekini dukej afër Moskës, por më pak se një muaj më vonë qasja ndryshoi me ndërhyrjen e Uashingtonit.
Rrjeti televiziv global i Kinës CGTN, nisi të raportonte për viktimat e shumta civile nga bombardimet ruse. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u nis drejt Pekinit më 17 mars, por u rikthye papritur në mesin e rrugës, me sa duket për të shmangur poshtërimin publik nga zhgënjimi me qëndrimin e kinezëve.
Më 30 mars ai ia doli më në fund të mbërrinte në Pekin, por nga takimi nuk doli asgjë pozitive. Tani “Sinopec”, gjiganti energjetik shtetëror i Kinës, po ngrin një marrëveshje investimi dhe marketingu me Rusinë. Me këtë ritëm, Putini nuk duhet të llogaritë më
një mbështetje të pakushtëzuar të Kinës. Ndërsa po rriten rreziqet për Moskën, kinezët po nisin që të distancohen qartazi nga Putin.