Lajme
Një javë nga vrasja e Liridona Ademajt | Vrasja, varrimi, rivarrimi dhe pistat për motivin e vrasjes
Demokracia
20:01 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Sot janë bërë një javë nga vrasja e Liridona Ademaj-Murselit, vrasje që tronditi mbarë shqiptarët. 

Liridona, nënë e dy fëmijëve, dyshohet se u vra me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murselit, përmes një vrasësi që do të paguhej gjithsej 30 mijë euro nga njeriu me të cilin ajo kaloi 13 vjet të jetës së saj, shkruan Demokracia.com.

Tashmë Naim Murseli, dorasi Granit Plava dhe bashkëpunëtori në krim, ish-ushtari i FSK-së, Kushtrim Kokalla, ndodhen prapa grilave falë një pune të shpejtë hetimore të Policisë së Kosovës, të cilët zbuluan se vrasja e saj nuk ishte kryer nga grabitësit, siç tha bashkëshorti i saj në natën e vrasjes.

Ndonëse dihen kryerësi i veprës, porositësi dhe bashkëpunëtori, për Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit ende mbetet i paqartë motivi që çoi deri në ekzekutimin makabër të Liridona Ademajt, para dy fëmijëve të saj, shkruan Demokracia.com.

Organet e hetuesisë po hetojnë disa pista dhe njëra është edhe sigurimi jetësor i Liridona Ademajt në Suedi, ndërsa tjetra një lidhje jashtëmartesore homoseksuale e Naim Murselit, për të cilën aludohet se Liridona ishte në dijeni. Por, për këto pista, Prokuroria ende nuk ka dhënë ndonjë konfirmim zyrtar.

Policia, siç mëson Demokracia.com, ende nuk e ka gjetur telefonin e Liridona Ademajt, i cili mund të shpiente në zbardhjen e rrethanave.

Si ndodhi ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë?

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli, ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në orën 9:30 në mëngjes, megjithatë më pas i raportua se takimi kishte ndodhur në një pompë të benzinës.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”, thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më të dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim që kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, deri sa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Naim Murseli me fëmijë kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij akti mizor.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjykata themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me parashtresën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke e aprovuar të njëjtën kërkesë.

Këtë vendim e ka marrë gjyqtarja e procedurës paraprake, Sulltane Hoti. Lidhur me pretendimin e prokurorisë se Murseli kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ishte deklaruar vetë i dyshuari në seancën dëgjimore, duke thënë se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.

“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, thuhet të ketë thënë i dyshuari, sipas vendimit të gjykatës.

Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë, siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsye të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”, kishte thënë avokati Ahmeti.

Në bazë të kësaj, Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë apo të caktojë një masë alternative.

Trupi i Liridona Ademajt fillimisht u varros në Cermjan, fshatin e Naim Murselit, por pas arrestimit të bashkëshortit të saj, ajo është zhvarrosur dhe është rivarrosur në fshatin e saj të lindjes në Rracaj të Gjakovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Naim Murselit, i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt dhe dy të dyshuarve të tjerë, ua ka caktuar masën nga një muaj paraburgim.

Tashmë tre të dyshuarit ndodhen në paraburgim në burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, sipas gjykatës, ngarkohen me veprat penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Marrëveshja për të kryer veprën penale vrasje e rëndë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme