Lajme
Një grup i huliganëve serbë po e bllokojnë hyrjen e pjesëmarrësve në festivalin Mirëdita -Dobardan, pati njoftime edhe për bombë
Demokracia
15:21 | 27 Qershor 2024

Share:

Rreth 150 huliganë, anëtarë të organizatave të ndryshme ekstreme, sipas Danasit serb ishin para ‘Dorcol Platz’ një orë e gjysmë para se të fillonte grumbullimi i pjesëmarrësve të festivalit “Mirdita dobar dan” në Beograd. Para se të fillonte grumbullimi i pjesëmarrësve në festival pati edhe raportime për bombë.

Sofija Todoroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila është një nga organizatorët e festivalit, thotë se tifozët kanë thënë se do të qëndrojnë aty për të penguar festivalin, ndërsa disa nga pjesëmarrësit e manifestimit “Mirdita, dobardan” nuk po mund të mbërrijnë në Dorcol Platz.

“Aktualisht jemi në kontakt me policinë, e cila ka absolutisht të gjitha informacionet, të gjitha njoftimet për çdo lëvizje, në mënyrë që të garantojë sigurinë e të gjithëve. Policia ka qenë në zyrën e Nismës pasi kemi pasur edhe raport për bombë” – sqaron Tijana, duke shtuar se po monitorojnë nga afër se çfarë po ndodh dhe se ende nuk kanë filluar provat për festivalin për shkak të kësaj situate.

“Të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, policia është e detyruar të sigurojë lëvizjen e qetë sepse nëse policia dhe ligjet e këtij vendi kontrollohen nga 150 huliganë të cilët kërcënojnë dhe shkruajnë mesazhet “Ikni” dhe përpiqen ta paraqesin si qëndrim të shumicës së Serbisë, mendoj se ky vend i obliguar të mbrojë njerëzit, më në fund të qëndrojë në rrugë dhe në fakt të tregojë se nuk merr pjesë në krijimin e një shteti sipas të djathtëve, batakëve dhe huliganëve”, thekson Sofija Todoroviq.

Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe të rinjtë e Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS), presidenti i së cilës është Stefan Seratliq.

Të rinjtë e kësaj partie organizuan një mini ekspozitë para sheshit Dorçol ku u prezantua trashëgimia kulturore e Serbisë në Kosovë.

Edicioni i sivjetshëm i festivalit “Mirdita, Dobar dan” duhet të hapet sonte me shfaqjen “Babai dhe Babai” në ‘Docol Platz’.

Shfaqja është bazuar në tekstin e Jeton Nezirajt, me regji të Kushtrim Koliqit, dhe siç thuhet në ftesën për këtë manifestim, ‘kjo shfaqje kujton humbjet dhe më shumë se 1600 të pagjetur pas luftës në Kosovë që përfundoi 25 vjet më parë’.

Ngjarja do të organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Integra nga Kosova dhe Iniciativat Qytetare.

Artistët dhe autorët kosovarë do të prezantohen para audiencës së Beogradit përmes koncerteve, ekspozitave, debateve, shfaqjeve dhe filmave.

Organizatorët njoftuan se festivali “përfaqëson një kombinim të bashkëpunimit kulturor dhe inicimit të çështjeve të rëndësishme politike që synojnë hapjen dhe paqen midis shoqërisë serbe dhe asaj kosovare”.

“Për shkak të fushatës së urrejtjes së nisur kundër festivalit, ju ftojmë të qëndroni me ne në solidaritet duke mbështetur qëllimet e festivalit dhe duke shijuar së bashku programin e tij”, thuhet në deklaratë.

Këtë vit “Mirdita dobar dan” u parapa të mbahet në Beograd nga 27 deri më 29 qershor.

Që nga themelimi më 2014, ky organizim kulturor në Beograd është përcjellë me protesta nga organizatat dhe partitë e krahut të djathtë në përpjekje për të parandaluar mbajtjen e saj.

Po këtë herë u bë thirrje për anulim të festivalit.

Thirrjet për anulimin ose shtyrjen e festivalit po bëhen për shkak se ngjarja treditore përkon me Vidovdanin.

Kjo festë fetare dhe kombëtare festohet më 28 qershor në kujtim të betejës së ushtrisë serbe dhe turke në vitin 1389.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, fillimisht u bëri thirrje organizatorëve që të mendojnë për shtyrjen e festivalit dhe më pas edhe për anulimin e tij, për shkak se gjatë këtyre ditëve shënohet edhe Vidovdani.

“Mendoj se është një tubim me rrezikshmëri të lartë dhe bëjmë thirrje që të anulohet e gjithë ngjarja”, tha Daçiq më 18 qershor për televizionin Pink.

Ai shtoi se policia ka autoritet kur bëhet fjalë për tubimet në vende të hapura, por jo ato në ambiente të mbyllura, ku mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan”.

Paraprakisht, më 15 qershor, kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë që të mendojë mirë nëse manifestimet si “Mirëdita, dobar dan” duhet të lejohen në Serbi.

Përkatësisht, ai pohoi se festivali “minon drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe juridik”, duke aluduar se Kosova, sipas Kushtetutës, është pjesë e Serbisë.

Edhe pse festivali ka vite që mbahet kryesisht në hapësira private, Shapiq tha se administrata e qytetit nuk do të lejojë që asgjë që lidhet me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të festivalit.

Kundër mbajtjes së festivalit në kohën që shënohet Vidovdani është shprehur edhe ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq.

Po ashtu, nënkryetari prorus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, siç raportojnë mediat e Beogradit, ka vlerësuar se mbajtja e festivalit njëkohësisht me shënimin e Vidovdanit, paraqet një fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet.

Ai, madje, tha se asnjë nga pjesëmarrësit e festivalit nuk do të kishte kaluar kufirin nëse do të ishte në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit apo në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Anulimin e festivalit e ka kërkuar edhe ministrja për Përkujdesje Familjare dhe Demografi, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, e cila kryeson partinë e djathtë Zavetnici.

Në vitet e mëparshme, ajo dhe partia e saj morën pjesë në protesta të krahut të djathtë në një përpjekje për të parandaluar zhvillimin e festivalit.

Të ngjashme