Lajme
“Një emision tjetër mediatik” | “Danas” e përshkruan të dështuar takimin e Vuçiqit me serbët e Kosovës
Demokracia
21:42 | 12 Prill 2023

Share:

Takimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me serbët e Kosovës po përshkruhet si “emision mediatik” nga “Danas”-i serb.

“Në vend të zgjidhjeve konkrete, serbëve atje do t’u ofrohet rritje e përfitimeve sociale 5600 serbëve dhe një sërë projektesh infrastrukturore që Serbia do t’i financojë në Kosovë në të ardhmen” shkruhet në raportimin e mediumit serb, përcjell Demokracia.com.

Marko Milenkoviq nga Iniciativa e Re Sociale thekson se takimi në Rashkë vjen në kohën kur ka rritje të tensioneve dhe përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës, por edhe me afrimin e afatit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komuna në veri, të parapara për 23 prill.

“Pres që në atë takim të diskutohen problemet dhe situata në të cilën ndodhen serbët në Kosovë, pasi që situata realisht po përkeqësohet, vërehet pakënaqësi e madhe në komunitetin serb në Kosovë, por edhe intolerancë në rritje”, deklaroi Milenkoviq.

Ai shton se pret që Vuçiq, si në rastet e mëparshme, t’u dërgojë një mesazh mbështetjeje serbëve në Kosovë, por edhe të bëjë thirrje për durim dhe zgjidhje të çështjeve të hapura përmes dialogut, si e vetmja rrugë e mundshme dhe kështu të vendosë presionin mbi komunitetin ndërkombëtar.

Analistët tjerë serbë kanë deklaruar me ironi se Vuçiq ka bërë më shumë sesa liderët kosovarë për pavarësimin e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme