Një ditë pasi Serbia iu drejtua përmes një shkrese Misionit të OSBE-së në Kosovë për “të lejuar dhe mundësuar” mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 17 dhjetorit edhe në Kosovë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me shefin e këtij misioni, Michale Davenport, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Megjithatë, sa i përket kësaj teme të kërkesës për mbajtje të zgjedhjeve serbe në Kosovë, nuk u tha asgjë në komunikatën e ZKM-së, por veç që në takim u fol “për angazhimin e qeverisë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë me ç‘rast Kryeministri falënderoi Ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e OSBE-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Njoftimi i ZKM-së:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për temat aktuale dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së, në Kosovë.
U bisedua për zhvillimet që ndodhën nga takimi i fundit së bashku, në veçanti për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë të sponsorizuar, organizuar dhe me përfshirje direkte të shtetit të Serbisë.
Në takim u fol për angazhimin e qeverisë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë me ç‘rast Kryeministri falënderoi Ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e OSBE-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës.