Lajme
Një ditë pasi Nagavci shkeli Kushtetutën, Haxhiu thotë se ajo duhet të jetë në frymën e vetëvendosjes
Demokracia
11:42 | 09 Prill 2022

Share:

Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka gjetur se ministrja Arbërie nagavci shkeli Kushtetutën me vendimin për hedhjen poshtë të reformave në arsim nga ish-kryeministri, Qëndron Kastrati, kolegia e saj partiake dhe në Qeveri, ministrja Albulena Haxhiu ka uruar për 14 vjetorin e aktit juridik kryesor të vendit.

Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se “dëshiron që Kushtetuta të jetë e plotë, në frymën e saj demokratike, e pa imponuar, në frymën e vetëvendosjes së popullit, raporton Demokracia.com.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës paraqet aktin më të lartë në hierarkinë normative të rendit juridik të Republikës së Kosovës, njëkohësisht qëndron në thelbin e Republikës, e të cilës ka për detyrë t’i shërbejë”, ka thënë tutje Haxhiu.

Ndryshe, prej Haxhiut, shefi i saj Albin Kurti ende nuk e ka uruar Ditën e Kushtetutës, duke parë edhe presionin publik ku po kërkohet dorëheqja e Arbërie Nagavcit.

Ndërkohë, të premten Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga ish kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, raporton Demokracia.com.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses./Demokracia.com/

 

Të ngjashme