Kryeministri Edi Rama ka lënë në orën 06:00 të mëngjesit ambientet e Reanimacionit të QSUT-së pas operacionit të suksesshëm një ditë më parë për heqjen e apandesitit me laparoskopi.
Kreu i qeverisë raportohet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore, por protokolli mjekësor e bëri të nevojshëm qëndrimin e tij 24 orë në spital.
Edi Rama pritet të qëndrojë në shtëpi dhe 2-3 ditë të tjerë përpara se të rinisë nga puna, teksa fushata zgjedhore po hyn në ditët më të forta të saj.
Tashmë edhe për shkak të detyrimit nga mjekët për pak ditë ai do të duhet të ndjekë zhvillimet në regjim shtrati për t’u rikthyer sërisht në takimet me mbështetësit në kuadër të fushatës elektorale për garën e 14 majit.
Sipas Zyrës së Shtypit, operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.
Në një deklaratë për mediat, Shefi i Kirurgjisë në QSUT Arben Gjata u shpreh se gjendja post operatore e kryeministrit ishte stabël duke shtuar se ai mund të rikuperohet plotësisht për 3 ditë.