Lajme
Një bashkëbisedim dhe takime me disa senatorë, vizita e shkuar huq e Vjosa Osmanit në SHBA
Demokracia
17:08 | 11 Maj 2023

Share:

Vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e ka karakterizuar bashkëbisedimi në Këshillin e Atlantikut (Atlantic Council), që provoi ta tregonte rolin e saj në negociatat në mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç takimeve me disa senatorë, e para e shtetit nuk takoi asnjë zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Përgjatë kohës sa ushtron detyrën e presidentes, Vjosa Osmani ka dëshmuar se është më shumë “notere” e vendimeve të kryeministrit Albin Kurtit në presidencë, sesa lidere e shtetit. Për ta ilustruar këtë e dëshmon edhe deklarata e Kurtit në Kuvend, duke thënë  se Osmani nuk do ta dekretoi prokurorin Blerim Isufaj, pasi që qeveria nuk është pro këtij emri.

“Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe të kryeministrit të qeverisë”, kishte thënë Kurti gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës.

Në njëfarë forme me këtë veprim Kurti tregoi se Osmani është në sinkron me qeverinë dhe thjesht ajo bën atë që ia i thotë kryeministri.

Por të kthehemi te vizita e Osmanit në SHBA. Takime me shumë senatorë, dhe fraza e saj e zakonshme: Putini, Vuçiqi, Lista Serbe dhe asgjë tjetër, shkruan Demokracia.com.

Osmani ka mbetur në një katror politikë, që sa herë i ofrohet mikrofoni ajo tregon se sa e zellshme është dhe dënon veprimet e presidentit rus, Vladimir Putinit në Ukrainë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq e quan autokrat, por këto janë fraza që tashmë janë mësuar përmendesh.

“Së pari, përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tej mase i rëndësishëm, me synimin për njohje reciproke, nocioni ‘normalizim raportesh’ po përdoret nga BE-ja për shkak të statusit neutral. Synimi është ‘normalizimi’, e procesi nuk duhet të shfrytëzohet për ta normalizuar Vuçiqin që të duket si lider proevropiane, e që nuk është. Le ta themi të vërtetën. Po përballemi me një autokrat”, tha Osmani gjatë një bashkëbisedimi në “Atlantic Council” në SHBA.

Osmani gjatë vizitës nuk e nxori asnjë fotografi në profilin e saj nëpër rrjete sociale, se ka takuar një politikan ose politikane të rëndësishme në SHBA, ndërsa një foto nga Shtëpia e Bardhë as që mendohet.

Osmani takoi pesë senatorë në SHBA, që të gjithë i nxori në rrjetin social  Twitter dhe tregoi se ka shprehur mirënjohje për SHBA-në.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe diskutuam mënyrat se si mund të rritim bashkëpunimin me Senatin”, shkroi Osmani pas takimit me senatorin Sen Schumer.

Pak a shumë e njëjta frazë ishte edhe në takimet tjera që i kishte me senatorët tjerë. /Demokracia.com/

Të ngjashme