Intervista
Një dekadë punë për komunitetet, flet anglezja që e bëri Kosovën shtëpi
Demokracia
17:59 | 31 Korrik 2021

Share:

Elizabeth Gowing jeton në Kosovë që më shumë se 15 vite.  Ajo erdhi këtu rastësisht, për shkak të punës së partnerit të saj, por shumë shpejt gjeti vend dhe u angazhua me OJQ-në që e nisi dhe ende e udhëheq si anëtare e bordit, “The Ideas Partnership”, e që merret me promovimin e punës vullnetare, me projekte për ruajtjen e mjedisit por edhe me projekte në edukim, me theks të veçantë të ndihma për komunitetet e margjinalizuara, veçanërisht romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Në një intervistë për Demokracia.com, Elizabeth Gowing tregon se cila ka qenë përshtypja e parë kur erdhi në Kosovë,  si e mësoi gjuhën shqipe dhe si lindi ideja për formimin e një organizate jo qeveritare.

Elizabeth tregon për punën e “The Ideas Partnership”, për projektin e fundit, atë të një qendre të re për komunitetit në Fushë Kosovë, që do të shërbejë si qendër mësimore për fëmijët e komuniteteve rome, ashkalinjë e egjiptianë, ndërsa do të zhvillohen edhe shumë aktivitete tjera.

Për të ruajtur autenticitetin e intervistës, e zhvilluar në gjuhën shqipe, ashtu siç e flet rrjedhshëm Elizabeth, intervistën e japim të pandryshuar, ashtu siç ka folur Elizabeth.

Demokracia.com: Si u bë që u lidhët me Kosovën dhe rajonin?

Elizabeth Gowing: Këtu kam ardh për herë të parë para 15 viteve. Kemi ardh për hir të punës së burrit, ai ka marrë një pozitë si këshilltar i Agim Çekut, kur ka qenë kryeministër në atëkohë. Kjo pozitë ka qenë për gjashtë muaj. Pra, kemi ardh vetëm për gjashtë muaj.

Dhe, faktikisht, nëse e kisha ditë që do të zgjatë 15 vite, nuk jam e sigurt që do e kisha pranuar.

Mirëpo, kur kemi ardh e kemi pa sa i bukur është vendi, njerëzit na kanë mirëprite, kemi filluar që të mësojmë gjuhën, jemi rahatu këtu, edhe e kemi zgjatë kontratën e Robertit. Mandej ka gjet një punë tjetër, edhe kështu me radhë.

Para 11 viteve e kemi krijuar OJQ “The Ideas Partnership” dhe me këtë punë ndihemi që po kontribuojmë, diçka që ka një arsye me qenë këtu, dhe pse jo me vazhdu deri sa ne mundemi me dhënë kontributin tonë.

Dhe ndërkohë, ne kemi bërë shumë shoqëri këtu. Para tri viteve e kemi marrë nënshtetësinë e Kosovës, si dekret nga Presidenti, dhe para një muaji e kemi ble edhe banesën e re, dhe tash faktikisht jemi në shtëpi këtu.

Demokracia.com: Kur keni ardhur për herë të parë në Kosovë, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Elizabeth Gowing: Kosovën e kam ditë si një vend lufte, ndoshta si shumica e njerëzve që kanë jetuar jashtë Kosovës. Në Angli, sa isha, jam takuar me disa familje që kanë ardh atje si refugjatë të luftës. Pra unë kam ditë vetëm për luftë këtu, dhe e kam pritë një vend lufte ose me pasojat e luftës që janë të dukshme.

As në vitin 2006 kur kam ardh, e aq më pak sot, nuk shihen këto pasoja sepse ka pas shumë progres. Njerëzit janë orientuar drejtë të ardhmes dhe kjo më ka bërë përshtypje.

Por edhe mikpritja, është diçka që është shumë e theksuar në Kosovë. Si një njeri që kam ardhë nga Anglia, shoh këtë edhe te njerëzit më të varfër, e që ndonjëherë është edhe më e theksuar tek këta njerëz. Shembull, kur kam qenë në fshatrat e Deçanit, ose te familjet në Fushë-Kosovë në lagjet ku punoj me “The Ideas Partnership”, ka njerëz që kanë shumë pak në shtëpi por prapë kanë qejf me të dhënë një byrek, me të dhënë një palë çorape, pra me ju dhuru diçka. E kam një shoqe amerikane që ka qenë vullnetare në “The Ideas Partnership” dhe ajo tregoi që vetura e saj është prishë në lagjen 29 në Fushë-Kosovë, ku punoj, dhe ajo thotë që menjëherë çdo njeri dhe çdo kalimtar ka ndalu aty që të i ofrojnë ndihmë, dhe thotë më pas se “vendi më i mirë me prish veturën është lagja 29 në Fushë-Kosovë”.

Demokracia.com: Ju flisni mirë edhe gjuhen shqipe, si e mësuat gjuhën?

Elizabeth Gowing: Ende jam duke mësuar. Ndonjëherë po bëj gabime. Ju jam gjithmonë mirënjohëse kolegëve që më i korrigjojnë gabimet. E kam mësuar gjuhën më shumë prej njerëzve në rrugë, por kam pas edhe mësim me mësuesin Gazi Bërlajolli, që është një mësues shumë i mirë dhe një gjuhëtar shumë i mirë. Por është një gjuhë që nuk ngjan shumë me anglisht, prandaj ke shumë për me mësuar, jo vetëm fjalorin por edhe disa shkronja të reja, si për shembull “y”, qe e keni ju, e që nuk e kemi në anglisht, ose shkronja “ll”. Unë kam thënë njëherë për një bluzë me “pula”, dhe dikush ka menduar për shpezët pula, atëherë kam thënë jo “pulla”, pra bluzë me pulla. Si duket nuk mundem me shqiptu mirë “pulla” dhe “pula”. Ende i kam këto probleme.

Demokracia.com: Ju vazhdimisht keni shkruar për Kosovën, çfarë komente keni marrë për librat dhe shkrimet e juaja?

Elizabeth Gowing: Kam shkruar pesë libra dhe katër prej tyre i janë kushtuar Kosovës, dhe një prej tyre është për punën e “The Ideas Partnership” dhe quhet “The Rubbish-Picker’s Wife”, që është për një “an unlikely friendship in Kosovo”, që do të thotë një miqësi e papritur në Kosovë, që tregon për një familje ashkali dhe një grua me të cilën jam takuar këtu dhe prej tyre kam mësuar shumë dhe me të kemi filluar punën këtu.

Por libri i parë quhet “Travels in Blood and Honey – Becoming a Beekeeper in Kosovo”  dhe ka treguar për bukuritë e Kosovës, bukuritë e natyrës, ushqimet e shijshme, fshatrat shumë mikpritëse. Dhe njerëzit gjithmonë më komentojnë, sepse siç kam qenë unë para se me ardh këtu, edhe ata Kosovën e kanë menduar si një vend gjaku dhe jo një vend të mjaltit, dhe me ka pëlqyer që kam pas mundësi me i nda këto përvojat pozitive me anglisht-folësit që nuk dinë shumë për Kosovën.

Madje kam marr komente e ndonjëherë edhe e-mail nga njerëzit e diasporës në Angli, dhe thonë se “unë jam lind në Angli, por familjen e kam prej Kosovës, dhe faleminderit që  ju me keni shpjeguar edhe mua si është vendi im, që ndoshta nuk e kam vizituar shumë ose nuk kam shkuar në ato pjesët”, dhe kjo është një kompliment shumë i madh për mua.

Demokracia.com: Jeni bashkëthemeluese e OJQ “The Ideas Partnership”. A mund të na tregoni më shumë për TIP? Si lindi ideja për një organizatë joqeveritare?

Elizabeth Gowing: Ideja nuk ka qenë me formu organizatë, por ideja ka qenë me ndihmu njerëz, dhe nëse sheh një nevojë, e ti e dinë që i ke mundësitë me ndihmu, qoftë me aftësinë tënde ose me mjetet tuaja, me siguri është për neve të gjithëve një obligim. Pra kam filluar si mësuese, që jam mësuese me profesion, pra kam menduar që të ofroj kurse të gjuhës angleze, për fëmijët. Kemi filluar me disa shkolla në Prishtinë me ofru kurse pas orarit shkollor, falas, në bashkëpunim me disa vullnetarë të huaj, dhe unë kam bë trajnim për ata vullnetarë që janë anglisht-folës. Kështu e kemi bë një program në pesë shkolla në Prishtinë.

Po ashtu kam qenë shumë e dhënë edhe për ambientin. “The Ideas Partnership” tash merret me ambient dhe kemi filluar një fushatë kundër qeseve të plastikes.

Ju me pyetet se çfarë më ka bërë përshtypje kur kam ardh në Kosovë. Edhe qeset e plastikës më kanë bërë përshtypje, sigurisht jo për të mirë. Dikush më ka thënë se “janë lulet kombëtare të Kosovës”. Dhe kjo nuk është e mirë, por është deri diku e vërtetë. Pra diçka për me zvogëluar, qeset e plastikës, dhe me i sensibilizu njerëzit për plastikën, se sa e dëmshme për ambientin është ajo, dhe duhet me luftu gjithmonë kundër plastikës.

Gjithashtu edhe për trashëgimi kulturore, se për këtë e kam një pasion, sepse kemi ndihmuar si vullnetarë në muzeun etnologjik. Kam parë që mundem me kontribuar prej përvojës në Angli, për promovimin e traditave të Kosovës dhe për tërheqjen e njerëzve në muze.

Pra, kështu ka filluar, e mandej njerëzit na kanë thënë, merre këto 100 euro, ose unë kam 20 euro shfrytëzojë për projektin, e kështu me radhë. Dhe ne i kemi ruajtur këto para në një zarf, dhe kjo na është dukur një praktikë jo e mirë, pasi kuptohet që nuk kemi pas mundësi me apliku për grante, thjesht prej kohës ndonjëherë. Dhe mjetet prej vetit i kemi dhënë unë me burrin. E kështu kemi menduar me themelu diçka me një emër, me një llogari bankare, dhe kështu jemi më transparent.

Por me qëllim e kemi dhënë një emër shumë të përgjithshëm “The Ideas Partnership” , nënkupton që mund të punojmë me ambient, me trashëgimi kulturore, me arsim, por nuk është specifike, sepse nuk është që kemi pas vetëm një ide, por shumë ide dhe me pas një ombrellë për të.

Dhe mirë që kemi bë kështu, sepse 2-3 vite më vonë jam takuar me atë familjen që e kam përmend në librin tim, me gruan edhe me vajzën e saj 9 vjeçe, që është nga komuniteti ashkali këtu në Fushë-Kosovë, dhe vajza ka shpreh dëshirë me shku në shkollë, ka thënë që shkolla nuk e pranon edhe pse 9 vjeç është mosha për shkollë. Kështu, prej kësaj ka filluar iniciativa për me shkollu së pari Gjelanen, ajo vajzë, mandej ajo thotë a mund të vijnë edhe shoqëria ime, mandej e kemi marrë me qira këtë qendër edhe është zgjeruar puna shumë. Por shumë mirë sepse në atë kohë nuk kemi pas ide për me punu me komunitetin dhe emri “The Ideas Partnership”  vlen ende sepse jemi partneritet, kemi ide të reja, dhe nuk kufizohemi vetëm për ambient, vetëm kundër qeseve të plastikës.

Edhe tash jemi zgjeruar shumë dhe kemi katër qendra. në Fushë-Kosovë, në Janjevë të Lipjanit, Obiliq dhe Graqanicë, dhe kemi një staf me rreth 28 njerëz, jo të gjithë me orar të plotë dhe gjysma e tyre janë prej komuniteteve, që është diçka për të cilën krenohemi.

E po ashtu kemi edhe shumë vullnetarë dhe jemi organizata e tretë në Kosovë sa i përket vullnetarëve.

Demokracia.com: TIP është duke ndërtuar edhe një qendër për përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve ashkalinjë, egjiptianë dhe romë në Fushë-Kosovë. Si është duke shkuar deri më tani projekti dhe çfarë do të përfshijë ky projekt?

Elizabeth Gowing: Kemi qenë në këtë objekt për 10 vite dhe kurrë nuk kemi menduar që do të jemi për 10 vite me qira. Ehe mundesh me llogaritë sa para kemi shpenzuar çdo muaj, e mandej çdo vit. Po ashtu edhe kushtet nuk janë ideale, sepse kjo është shtëpi private, edhe pronari banon në njërin nga katet.

Siç keni dëgjuar, kemi aktivitet me gratë në muajt e fundit të shtatzënisë dhe mundesh me kuptu sa e rëndë është që të ngjitën shkallëve deri këtu. Ose fëmijët që vijnë për seanca fizioterapie e prindërit duhet me i bartë në shkallë. Dhe kjo nuk është ideale për neve. Dhe e kemi pas si ëndërr për shumë vite, nuk e di sa vite, ndoshta për katër vite të paktën, e kemi fol si ide, dhe disa persona, disa organizata na janë bashku dhe e kemi pa që ëndrra mund të bëhet realitet.

Edhe pse ende nuk është e sigurte, e kemi ble pronën me ndihmë nga komuna e Fushë-Kosovës dhe me ndihmën e një personi në Angli. Mandej i kemi marrë grantet për një pjesë të ndërtimit, një pjesë nga “UEFA Children’s Foundation” me ndihmën e FFK-së; por edhe LOREAL, të cilët kanë një fond “For Women” dhe na kanë dhënë një shumë; një fond amerikan, “Bill Cook Foundation”; gjithashtu nga Anglia, “Aecom Foundation” na ka ndihmuar. Gjithashtu kemi pas nevojë edhe për më shumë fonde dhe mbi 150 persona kanë dhënë para. Edhe disa kompani ndërtuese na kanë ndihmuar me material për ndërtim. Pra kemi 50 mijë euro donacion nga Prishtina City Center, Alba Group, Alba Electrica, Konstruktori, Kerasan, Sallamander, pra këta po na ndihmojnë. Edhe ambasada japoneze do të na ndihmojë me një gjenerator për qendrën.

Demokracia.com: Kur pritet të jetë gati qendra dhe çfarë ka mbetur pa u përfunduar?

Elizabeth Gowing: Punimet kanë filluar para 55 ditëve. Tash puna është në gjysmë të rrugës, sepse themelet janë bë, shtyllat janë vendosë, dhe tash pritet të fillojë ndërtimi me blloqe. Do të thotë jemi afër përfundimit. Dhe e kemi lajmëruar pronarin e objektit ku jemi duke qëndruar tani që deri në tetor do të largohemi. Patjetër kemi nevojë për atë qendër të jetë gati sepse në tetor do të jemi në rrugë.

Projekti i qendrës së re është dizajnuar nga një kompani arkitekte në Angli. Është një dizajn shumë i bukur, me standarde europian, është ekologjike, përdorë shumë dritë natyrale që të mos ketë nevojë për energji elektrike, me izolim shumë të fortë, pra shpresojmë që do të jenë kushtet shumë të mira dhe motivuese për komunitetin. Gjëja kryesore e gjithë kësaj qendre është se ne tani po i tregojmë komunitetit që nuk jemi me qira këtu, por për një periudhë afatgjate. Besoj që kjo qendër do të ketë shumë ndikim edhe për punë praktike, pra për buxhetin ton, po edhe për pozitën e punës tonë në komunitet dhe vlerësimin prej anëtarëve të komunitetit .

Qendra e re do të përfshijë dy dhoma për çerdhe, një dhomë e  veçantë për kontrollet e grave, shpresojmë që mund të kemi një kuzhinë në të cilën mund të gatuajmë shujta për fëmijët, por edhe vetë fëmijët mund të mësojnë që të gatuajnë, gjithashtu kemi dëshirë që në oborr të kemi perime, që fëmijët të mësojnë për ushqim të shëndetshëm. Ky është kati i parë.

Në katin e dytë i kemi një zyre dhe tre klasa. Shpresojmë që njëra prej klasave do të jetë për shkenca kompjuterike, robotike dhe koding. Ne e kemi zënë vendin e dytë në një garë kombëtare për robotikë dhe kemi shumë dëshirë që të vazhdojmë me këtë punë, nëse kemi një dhomë veçmas për këtë.

Pra qendra do të ketë një hapësirë më të madhe, do të ketë kushte dhe mundësitë më të mira.

Afër qendrës është edhe një toke që nuk e kemi në pronën tonë, por kemi tash një ëndërr tjetër që të blejmë atë pjesë të tokës, në mënyrë që në atë pjesë të krijojmë një fushë futbolli ose një hapësirë ku fëmijët mund të luajnë./Demokracia.com/

Të ngjashme