Lajme
Një dekadë nga heqja e barrikadës mbi urën që mbetet “e mbyllur”
Demokracia
19:21 | 17 Qershor 2024

Share:

Tash e 10 vjet janë hequr barrikadat e fundit mbi Urën e Ibrit, që është bërë simbol i ndarjes së Mitrovicës. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thotë se duhet një manovrim i kujdesshëm mes forcimit të sovranitetit pa rritur rrezikun. Në opozitë kërkojnë koordinim me aleatët. E analistët thonë se tani është kohë më e favorshme për hapjen e urës

Të hënën janë bërë 10 vjet nga heqja e barrikadave të fundit mbi urën e Ibrit, që ndan qytetin e Mitrovicës në dy komuna.

Ato ishin vendosur nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.

Edhe pse pa barrikada, ura është ende e mbyllur për qarkullimin e veturave dhe ruhet nga ushtarët e KFOR-it italian.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thotë se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet me seriozitet, por ka shprehur brengën që mund të rrezikohet vendi.

“Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitivë, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë”, ka thënë ajo.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur se ura duhet të hapet, mirëpo, sipas tij, duhet të ketë koordinim me aleatët dhe vendimi për hapje të jetë përfundimtar.

“Ura duhet të hapet, mirëpo kur të hapet ura shteti nuk guxon të kthehet prapa. Unë nuk e kam problemin e hapjes së urës pasi duhet të hapet. Duhet me na ndihmua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të tjera që të hapet ura. Por unë kam problemin se këta marrin vendim për targa pastaj kthehen, marrin vendim për zgjedhje pastaj i organizojnë prapë. Unë e kam problem se me bërë me hap urën dhe me dal KFOR-i me thënë se s’bën me kalu andej, ku po mbet sovranitetin dhe integriteti”, ka thënë Tahiri.

E për analistin politik, Dritëro Arifi, hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt dhe konsideron që tani janë kushtet më të favorshme.

“Realisht presioni i madh që mund të ekzistojë nuk është siç ka qenë më parë, por edhe qëndrueshmëria e komunitetit serb nuk është siç ka qenë më parë. Në një mënyrë është një pozitë e favorshme por duhet të bëhet me hapa të kujdesshëm. Hapja e urës do të ndodhë shumë shpejt, sepse është më shumë një çështje humane dhe të drejtave të njeriut, se që krijon probleme. Mendoj se më shumë do të afrojë komunitetit serb që të integrojë në institucionet e Kosovës”, ka thënë Arifi.

Diskutimet për hapjen e saj për vetura u rikthyen në fund të muajit të kaluar kur u bë një vit nga vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për këtë.

Por pati reagime nga BE-ja dhe misioni i NATO-s të cilët konsideruan se çdo vendim duhet të merret në kuadër të dialogut

E rivitalizimi i Urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel.

Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.

Të ngjashme