Lajme
Një çunak nga Qeveria e mbron Besnik Bislimin, pasi skandalizoi me “ikjen normale” nga Kosova
Demokracia
19:33 | 11 Maj 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Bislimi, dje duke folur për braktisjen e Kosovës nga të rinjtë dhe profesionistët shëndetësorë, tha se “ikja është normale”.

Pasi mori shumë kritika për deklaratën e tij të pamatur, Bislimi e ka nxjerrë në publik një këshilltar të tij djaloshar,  jo fort të njohur për publikun, për ta mbrojtur atë, shkruan Demokracia.com.

Sipas këshilltarit të Bislimit me emrin Klisman Kadiu, që thuhet se vjen nga Shqipëria, ky ishte një keqinformim dhe keqinterpretim i qëllimshëm.

“Po tentohet paturpësisht të nxitet panik tek qytetarët. Panik, e cila i nxit qytetarët të mendojnë se situata është aq keq e të gjithë po migrojnë. Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur dje për fenomenin e migrimit. Po thotë që në vendet e Ballkanit Perëndimor ose dhe në Evropën Lindore, në vazhdimësi ka pas tendenca për migrim. E kjo nuk është veçori e Kosovës apo që ndodh vetëm në Kosovë. Ka ndodhur dhe po ndodh edhe në vendet fqinje”, ka shkruar ai.

Kadiu e ka publikuar një raport nga OECD, “Shkalla e migrimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor është rritur me 10% gjatë dekadës së fundit; sot, rreth një e pesta e popullsisë nga ky rajon banon jashtë vendit”.

Nga kjo shkallë e lartë, sipas tij, nga vendet e rajonit shifrat nga 2021 janë si më poshtë sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM):

1) Shqipëri: rreth 41,000
2) Serbi: rreth 37,000
3) Bosnjë dhe Hercegovinë: rreth 20,000
4-5) Kosovë dhe Maqedoni e Veriut: rreth 14,000
6) Mali i Zi: rreth 7,000

“Pra Kosova, është e parafundit në rajon, në këtë trend migrimi, me numrin e dytë më të vogël. Por, ajo që nuk është normale me këtë tymnajë, është tendenca për politizim dhe adresim të fajit, e edhe më jonormale është përdorimi i shifrave të rrejshme për të arsyetuar pseudoargumentimin. Por politikat e spin-it, do të dështojnë.”, u shpreh Kadiu.

Po i njëjti këshilltar i Bislimit, ditë më parë ishte marrë edhe me cështje më madhore, duke kritikuar zëdhënësin e BE-së dhe dhënë qëndrime qeveritare rreth dialogut në Bruksel.

Qeveria Kurti është kritikuar vazhdimisht për moskompetencë dhe ministra të dobët, duke u quajtur edhe si “Qeveri e praktikantëve”, por me nxjerrjen e disa figurave të reja në publik, si rasti i këtij çunakut nga Shqipëria, si duket i kanë mbetur shumë pak njerëz të gatshëm edhe që ta mbrojnë. /Demokracia.com/

Të ngjashme