Lajme
Një britanik vritet në Ukrainë, ishte mjek vullnetar
Demokracia
08:19 | 01 Shtator 2022

Share:

Një burrë britanik është vrarë gjatë punës vullnetare si mjek në Ukrainë, ka thënë motra e tij.

Craig Mackintosh nga Norfolk-u vdiq “në vijën e detyrës” më 24 gusht, tha Lorna Mackintosh. Ajo ka arritur të grumbullojë mbi 5.000 funte në një faqe në internet për ta kthyer trupin e vëllait në atdhe.

“Vëllai ynë me guxim u paraqit vullnetar për të shkuar (në Ukrainë) si mjek për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve në këtë vend të goditur nga lufta. Ju lutem, na ndihmoni që ta kthejmë në shtëpi këtë hero lufte”, shkroi ajo në uebfaqen “GoFundMe”.

Ajo tha se kthimi i trupit në Britani do të kushtojë rreth 4.000 funte. “Kemi biseduar me një kompani ndërkombëtare të funeraleve dhe do të kushtojë rreth 4.000 funte për ta kthyer trupin e tij në Mbretërinë e Bashkuar”, tha motra e britanikut.

Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Britanisë tha: “Ne po e përkrahim familjen e burrit britanik që ka vdekur në Ukrainë dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale.”

Në prill të këtij viti, një britanik që po luftonte në Ukrainë, ishte vrarë, ndërsa në korrik, një britanik që ishte në mbajtje nga separatistët në lindje të Ukrainës, vdiq gjatë qëndrimit në ndalim.

Të ngjashme
Lajme • 11 Maj 2025