Lajme
Nismë për shkarkimin e Bashës, më 11 dhjetor delegatët do të votojnë
Demokracia
17:27 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Kuvendi i 11 dhjetorit, i thirrur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, do të votojë kërkesën për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.

Burime të sigurta të Euronews Albania bëjnë me dije se gjatë një takimi me të rinj, Berisha ka thënë se delegatët që do të marrin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit do të votojnë në kuti të fshehta për largimin e Bashës. Sa i takon organizimit, tashmë është vendosur që në 11 dhjetor demokratët do të mblidhen në stadiumin “Air Albania”.

Delegatët do të jenë të pajisur me një “badge” që do të skanohet elektronikisht dhe do të kontrollohet për pozicionin e tyre në strukturat e PD nga një komision që do të ngrihet para se të nisë Kuvendi.

Mësohet se pas këtij votimi në Kuvend, disa javë me pas do i drejtohen anëtarësisë për të ratifikuar këtë vendimmarrje të 11 dhjetorit.

Deri në këto momente janë mbi 2700 firmëtarë për Kuvendin e 11 dhjetorit, emrat e të cilëve janë publikuar ditë pas ditë në hyrjen e selisë së Partisë Demokratike.

Sipas Berishës dhe deputetëve mbështetës të tij, janë mbi 5070 delegatë të Kuvendit që kanë firmosur për mbledhjen e 11 dhjetorit.

Ndërkohë, Partia Demokratike zyrtare ka deklaruar se vetëm Kuvendi i 18 dhjetorit është legjitim dhe për rrjedhojë nuk do të njihet asnjë vendim apo votim që do të bëhet në 11 dhjetor.

Të ngjashme