Lajme
Nisma paralajmëron zgjedhje të brendshme shkaku që nuk e kaluan pragun
Demokracia
11:20 | 24 Mars 2021

Share:

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve ku kjo parti nuk e ka kaluar pragun dhe ka thënë se duhet të shfrytëzohet procesi i brendshëm zgjedhor për të riorganizuar partinë.

Bilall Sherifi, si Sekretar i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Nisma për herë të parë po mbetet si forcë politike jashtë parlamentit.

Ai, po ashtu tha se të jesh jashtë parlamentit nuk i zvogëlon obligimin që i kanë dhënë votuesit e saj, shkruan Demokracia.com.

Shkrimi i plotë i Bilall Sherifit:

Të nderuar anëtarë, simpatizant dhe votues të NISMËS Socialdemokrate.

Krijimi i legjislaturës së re që doli si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe votimi i qeverisë së propozuar nga fituesi i këtyre zgjedhjeve hapi dinamikën e re politike të ballafaqimit pozitë/opozitë. Që nga themelimi i saj si parti politike, për herë të parë NISMA Socialdemokrate mbetet si forcë politike jashtëparlamentare.

Të qenit forcë jashtëparlamentare nuk i zvogëlon obligimet që na dalin ndaj 22 mijë votuesve që kishin mbështetur besimin në opsionin politik të partisë sonë. Mirëpo, që të jemi sa më efikas në obligimet që na dalin nga ky kontekst i ri politik, rishikimi i tërësishëm i punës sonë dhe analiza e të gjithë faktorëve që ndikuan që zëri i NISMËS të mbetet jashtë kuvendit del si domosdoshmëri”, ka thënë Sherifi.

Ai po ashtu tha se  diskutimet e hapura për të gjitha problemet, që nga themelimi i partisë në 4 vitet e fundit  do të hapë rrugë për reforma, në funksion të forcimit të Nismës, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për përgatitje ndaj sfidave.

“Diskutimet e hapura për të gjitha problemet që na kanë shoqëruar që nga themelimi i partisë dhe sidomos analiza e punës sonë në katër vitet e fundit do të hapë rrugën për reforma të mirëfillta në funksion të forcimit të NISMËS Socialdemokrate. Vetëm në këtë mënyrë do të dalim të përgatitur për sfidat që na presin”, tha Sherifi.

Ai shtoi se duhen shfrytëzuar proceset e brendshme zgjedhore për riorganizim të partisë prej nëndegëve dhe përmes procesit zgjedhor të mundësohet përfshirja aktive e të rinjve dhe të rejave, që janë të gatshëm ta zhvillojnë Nismën.

“Prandaj le të shfrytëzojmë procesin e brendshëm zgjedhor për të riorganizuar dhe ristrukturuar partinë nga nëndegët, degët dhe deri te organet drejtuese qendrore. Përmes procesit zgjedhor duhet t’u mundësohet përfshirja aktive të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që janë të përgatitur dhe të gatshëm ta zhvillojnë dhe ta rrisin NISMËN Socialdemokrate”, përfundoi Sherifi.

/Demokracia.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

Të ngjashme