Lajme
Nisja e hetimeve për ministrat e Qeverisë Kurti, Haskuka iu vërsulet mediave
Demokracia
14:27 | 02 Qershor 2022

Share:

Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit dhe zyrtari i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, iu është vërsulur mediave pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria Speciale për ministrat e Qeverisë Kurti.

Këto sulme ndaj mediave, Haskuka i ka bërë duke e ndërlidhur me rastin e aktorit Johny Depp, i cili e fitoi gjyqin për shpifje ndaj ish-bashkëshortes Amber Heard.

Sipas Haskukës, nëse gjykatat e Kosovës do të ishin si në Amerikë, “një pjesë e madhe e medieve tona kishin falimentuar, duke e marrë parasysh sasinë e shpifjeve dhe dezinformatave”.

“Shpifja është krim i rëndë, juria në shtetin Virixhina (SHBA) ka vendosur  në favor të aktorit Johny Depp, 15 milionë dollarë si dëmshpërblim dhe dëme ndëshkuese pasi ai e fitoi procesin gjyqësor për shpifje. Të kishin qenë gjykatat tona si në Amerikë, një pjesë e madhe e medieve tona kishin falimentuar, duke e marrë parasysh sasinë e shpifjeve dhe dezinformatave. Liria e shprehjes NUK është liri e shpifjes”, ka shkruar Haskuka.

Reagimi i Haskukës vjen pasi Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me pretendimet për afera korruptive në institucionet e vendit.

“Prokuroria Speciale ka njoftuar se kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet për afera korruptive në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar dje një dokument, duke thënë se dy ministrat e Qeverisë Kurti – Donika Gërvalla dhe Fitim Damka – janë të pëfshirë në një aferë korruptive.

Sipas PDK-së, kjo aferë e dyshimtë dhe e kundërligjshme, ka mundësuar keqpërdorimin e rreth 1.1 milionë eurove të taksapaguesve të Kosovës.

“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.

Përveç Gërvallës e Damkës, dje në media është përfolur edhe për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu.

Të ngjashme