Lajme
Prokuroria e kualifikon si “të dyshimtë” vdekjen e Fadil Syleviqit
Demokracia
13:40 | 16 Janar 2021

Share:

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vdekjen e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqit. Ai është gjetur i vdekur pasditen e djeshme në një mal. Rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”.

Në afërsi të Liqenit të Badovcit, dje është gjetur një trup i pajetë. Pas arritjes së Policisë në vendngjarje u mësua se viktima është Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i PK’së.

Për këtë rast, Prokruroria Themelore e Prishtinës tashmë ka nisur hetimet.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ulaj ka thënë se rasti është kualifikuar si ‘vdekje e dyshimtë”, derisa ka shtuar se prokuroria dhe policia janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka filluar hetimet lidhur me këtë rast. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është kualifikuar si “vdekje e dyshimtë” dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Insititutin e Mjekësisë Ligjore, Prishtinë. Po ashtu, ju njoftojmë se prokuroria në bashkëpunim me policinë, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit në fjalë​”, thuhet në përgjigjet e Ulajt për Express.

Lajmin për vdekjen e Syleviqit e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është  i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndryshe, Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllëzërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin.

Të ngjashme