I mbijetuari i dhunës seksuale në Kosovë, Ramadan Nishori ka thënë se rrëfimi i tij publik për atë që ka përjetuar gjatë luftës, ka ndikuar që të tjerë të mbijetuar të paraqiten për të kërkuar ndihmë.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që pas rrëfimit tim, më 14 prill, dy burra (të dhunuar gjatë luftës), kanë ardhur në shoqatë (KCRT) dhe kanë kërkuar ndihmë. Kjo më bën të ndihem akoma më krenar për atë që kam dalë dhe kam rrëfyer. Jam shumë falënderues gjithë shoqërisë kosovare për mbështetjen që ma kanë dhanë. Vetëm ata dy që kanë dalë është shumë, shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Nishori në një intervistë për emisionin Interaktiv Talks, të gazetarit Xhemajl Rexha.
Nishori ka rrëfyer momentin e dhunimit në Stacionin e Policisë serbe, në Drenas, në shtator 1998, dhe atë se si një shqiptar që punonte aty e ndaloi njërin prej policëve që ta bënte të njëjtin akt, sikurse e kishte bërë njëri prej tyre.
Burri nga Komorani ka thënë se është ndjerë “babai më i lumtur në botë” kur ka arritur të rrëfehet para gruas dhe fëmijëve të tij për atë që kishte ndodhur. Nishori është mbajtur në burg deri në mars 2001, në Nish të Serbisë, dhe paraprakisht kishte pësuar tortura edhe në burgjet e Prishtinës e Lipjanit, dhe është i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë ndihmë profesionale, sepse atij kjo ia ka shpëtuar jetën.