Lajme
Nis takimi me analistët: Kush i shkoi në panel Abdixhikut e kush e refuzoi?
Demokracia
11:53 | 05 Korrik 2023

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka ftuar në takim opinionistë e gazetarë për të diskutuar për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatë.

Kësaj ftesë i janë përgjigjur gazetarë e analistë, mirëpo ky takim ka qenë i mbyllur për medie.

Sipas fotografive të publikuara nga Ekonomia Online, ftesës për takim i janë përgjigjur pozitivisht opinionistët politikë, ish-deputetët e LVV-së dhe PSD-së, Visar Ymeri e Dukagjin Gorani.

Në takim ndodhen edhe profesorët universitarë Rrahman Paçarizi e Arbër Vllahiu.

Sipas fotografive, vendi i dedikuar për gazetarin Valon Syla ka mbetur bosh. Ai nuk është parë i pranishëm në takim.

Po ashtu, në një ulëse tjetër të boshatisur është vendosur emri i Artan Behramit, ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi. Behrami, sipas fotografive, nuk ka shkuar në takim.

Ky takim ka ardhur pas paralajmërimeve të Abdixhikut se nga e mërkura do të nisë takimet e para me profesionistë të ndryshëm për të nxjerrë propozimet për dalje nga kriza e tanishme izoluese dhe tensionuese e Kosovës.

Sipas tij, nga e mërkura, do të organizojë katër takimet e para me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe biznese nga sektori privat në vend.

“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euroatlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithë shoqëror”, kishte paralajmëruar Abdixhiku.

Të ngjashme