Lajme
Nis rinumërimi i votave të AAK-së
Demokracia
17:20 | 08 Mars 2021
Ilustrim

Share:

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), tashmë ka nisur edhe zyrtarisht rinumërimi i votave të AAK-së.

Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka nisur edhe zyrtarisht rinumërimi i votave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, raporton Demokracia.com.

Procesi i rinumërimit të votave të AAK-së ishte planifikuar që të fillonte në ora 16:30, derisa vendimi për rinumërim është vendosur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që u mbajt gjatë së hënës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se fillimisht do të bëhet rinumërimi i votave me kusht dhe atyre me postë për kandidatët e AAK-së.

Ai ka thënë se pas rinumërimit të votave të AAK-së do të vazhdohet me procedimin e vendvotimeve të tjera për të cilat ka vendosur PZAP-ja.

“Me qëllim të zbatimit të vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po fillon punën këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjithashtu, KQZ do të rinumërojë edhe 7 vendvotime gjatë numërimit të të cilat ka qenë i angazhuar personi që përmendet në videon e transmetuar nga mediat. Pas përfundimit të kësaj faze të rinumërimit, do të vazhdojmë me procedimin e vendvotimeve të tjera për të cilat ka vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Një listë me numrin e saktë të vendvotimeve do ta kemi në ndërkohë, pasi jemi duke para të gjitha vendimet e PZAP-it dhe janë me dhjetëra sosh”, ka thënë Elezi.

Theksojmë se në QNR të pranishëm janë edhe përfaqësues nga prokuroria, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka si dhe anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti. Gjithashtu, KQZ-ja do të rinumërojë edhe shtatë vendvotime gjatë numërimit te të cilat ka qenë i angazhuar personi që përmendet në videon e transmetuar nga mediet.

Theksojmë se, PZAP-ja ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidates së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Florentina Gjergjaj dhe Albena Reshitaj për rinumërimin e votave.

Por i njëjti panel refuzoi kërkesën e Jetlir Zyberaj e Meliza Haradinaj për rinumërimin e disa kutive, ndërkaq i njëjti institucion ka anuluar në tërësi votat e partisë të Adrijana Hoxhiqit. /Demokracia.com/

Të ngjashme