Lajme
Nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta
Demokracia
22:47 | 28 Shkurt 2021

Share:

Ka filluar numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), para pak çastesh ka filluar numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë vendosur në ditën e zgjedhjeve në vendvotimet e dyfishta, por edhe në adresa të ndryshme jashtë vendvotimeve”, ka deklaruar Elezi.

Ai po ashtu ka thënë se janë rreth 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta.

“Janë rreth 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë komunave të ndryshme dhe që do të numërohen këtu në QNR”, tregoi Elezi.

Tutje ai ka treguar se pas numërimit të këtyre votave do të fillojë numërimi i e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.

Ai po ashtu ka thënë se KQZ-ja të premten në mesnatë mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt.

“Menjëherë pas tyre, do të fillojmë edhe me numërimin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.  Pas përfundimit të premten në mesnatë të rinumërimit të 552 vendvotimeve, numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt”, theksoi Elezi.

Elezi po ashtu bëri të ditur se sipas

të dhënave, numri më i madh i fletëvotimeve me kusht, pra me numër katërshifror, u takojnë komunave: Prishtinë 7 mijë e 520; Prizren 2 mijë e 953; Fushë Kosovë 1 mijë e 562; Suharekë 1 mijë e 538; Mitrovicë e Jugut 1 mijë e 528 dhe Gjakovë 1 mijë e 521.

Theksojmë se numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta ishte paralajmëruar të fillonte në ora 18:00, mirëpo ky numërim filloi para pak çastesh. /Demokracia.com/

Të ngjashme