Lajme
Nis ndërtimi i terminalit| Si përfundoi Kosova e vetmja në rajon pa qasje në gazin amerikan pasi u refuzua nga Kurti?
Demokracia
17:28 | 03 Maj 2022

Share:

Në Greqi ka nisur puna për ndërtimin e terminalit që do të përçojë gazin amerikan për rajonin – të cilin Kosova e qeverisur nga Albin Kurti, ka kohë që e refuzon.

Aty përveç shumë figurave të njohura të politikës rajonale dhe evropiane, ka marrë pjesë edhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë.

Për projektin e terminalit që do të përfundojë në fund të vitit 2023, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se ky është një hap esencial për pavarësim nga gazi rus.

Edhe Vuçiq e ka lavdëruar fillimin e projektit duke thënë se ‘është tepër i rëndësishëm’.

“Interkoeksioni për gazin natyral është tepër i rëndësishëm. Dua të falënderoj Bashkimin Evropian sepse shumica e këtyre projekteve janë të financuara nga evropianët”, ka thënë Vuçiq.

Historia e refuzimit të gazit amerikan nga Qeveria Kurti është e gjatë. 200 milionë eurot që ishin të destinuara për projektin e gazit amerikan për Kosovën, janë refuzuar si projekt nga Qeveria.

Shumë prej debateve publike por edhe seancave të Kuvendit, e kanë trajtuar këtë temë.

Vetë kryeministri Albin Kurti shquhet për deklaratën se ‘aleanca me Amerikën nuk bëhet me do gypa’, duke e refuzuar kështu një projekt madhor gjeo-strategjik amerikan si çështja e gazit.

Gjithçka filloi vitin e kaluar

Në të tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës tha se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), shkruan Demokracia.com.

Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, sipas qeverisë, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro.

Edhe pse Kosova nuk është e përfshirë në ndonjë projekt tjetër të gazit, qeveria tha se ndërtimi i këtij projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm, kështu që vendosi të tërhiqej.

Çfarë refuzoi Kosova?

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë.

Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror.

Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3,000 kilometra rrugë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar.

Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht dominohen nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Përveç kësaj, një nga objektivat e BE-së është që të reduktojë në maksimum ndotjen nga emetimet të karbonit nga termocentralet prej thëngjilli dhe format e tjera të ndotjes së mjedisit.

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes.

Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.

Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit.

Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.

Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Çfarë do të përfitonte Kosova sipas ekspertëve nga rajoni?

Për atë se çfarë do të përfitonte Kosova në rast se do të kyçej në gazsjellësin TAP përmes Maqedonisë së Veriut, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me profesorin e Fakultetit të Makinerisë në Shkup, Konstantin Dimitrov.

Dimitrov, që njëherësh drejton edhe Qendrën për Efikasitet të Energjetik, thotë se për Kosovën do të ishte e rëndësishme që të lidhej me gazsjellësin TAP.

Përfitimet sipas tij do të ishin energjia më e lirë dhe ndotje më e ulët.

“Është mundësi unike. Termocentralet me gaz funksionojnë me efikasitet më të lartë, me më pak emetim të ndotësve dhe rezultati është energji më e lirë”, thotë Dimitrov për Radion Evropa e Lirë.

Profesori Dimitrov thotë se nga gazi përfitojnë shumë sektorë.

“Në rend të parë prodhimi i energjisë elektrike gjatë periudhës së tranzicionit nga thëngjilli në shoqëri të gjelbër (shoqëri pa lëndë djegëse fosile). Në rend të dytë industria, dhe në vendin e tretë, por shumë e rëndësishme, amvisëritë”, shprehet ai.

Dimitrov thotë se refuzimi i Kosovës për të ndërtuar infrastrukturën për gazsjellësin me Maqedoninë e Veriut mund të lidhet edhe interesa të tjera, siç është ajo e ndërtimit të një infrastrukture gazi për t’u lidhur me Shqipërinë.

Shqipëria, përveç tubacioneve të Gazsjellësit Trans-Adriatik, ka edhe projekte të tjera të gazit, një prej tyre që parashihet të lidhë Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe partnerin kryesor në këtë projekt, Kroacinë.

Ky projekt njihet si Gazsjellësi Adriatiko-Jonian (IAP) dhe do të ketë gjatësi prej 516 kilometra. Fillon në Qytetin e Fierit në Shqipëri, ku lidhet me gazsjellësin TAP, dhe përfundon në qytetin e Splitit në Kroaci, prej nga parashihet që gazi të shkojë për në vendet e tjera evropiane. /Demokracia.com/

Të ngjashme