Ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm, përcjell Demokracia.com.
Ish-presidenti Hashim Thaçi është deklaruar i pari i pafajshëm.
“E kuptoj aktakuzën e ndryshuar dhe jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.
Ish-kreu politik i UÇK-së tha se e konfirmon deklarimin e tij të parë se është i pafajshëm.
Po ashtu edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar para Gjykatës Speciale, duke konfirmuar deklarimin fillestar se është i pafajshëm.
Veseli gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesën, teksa është deklaruar i pafajshëm.
“E shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dyvjeçare e gjysmë, megjithatë iu falënderoj, tërësisht i pafajshëm”, është shprehur Veseli.
Edhe Rexhep Selimi është deklaruar plotësisht i pafajshëm.
“Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh Selimi në Hagë.
Edhe Jakup Krasniqi është deklaruar i pafajshëm. Ai ka thënë se aktakuzën e kupton, por nuk pajtohet me të në asnjë pikë.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.
Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.
Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.
Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.
LEXO EDHE:
Pas dy vjetësh e gjysmë zvarritje e shkelje, në Hagë nis procesi gjyqësor kundër UÇK-së
LEXO EDHE:
UÇK në gjyq, Prokuroria Speciale në Hagë përsërit akuzën për “Ndërmarrje Kriminale të Përbashkët”