Interesimi për ta drejtuar Bankën Qendrore të Kosovës po del të jetë shumë i madh.
Garës për guvernator të BQK-së ia ka mësyrë edhe Gëzim Tosuni, i njohur për publikun si ‘nipi i Besnik Bislimit’.
Ai u bë i njohur kur u emërua anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, shkruan Demokracia.com.
Por pak ditë më vonë Agjencia Kundër Korrupsionit kishte konstatuar se Gëzim Tosuni, nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është në konflikt interesi për ushtrimin e dy funksioneve publike në të njëjtën kohë. Kësisoj i ka rekomanduar atij që të jap dorëheqje nga njëri funksion.
Trajtimin e lëndës e ka konfirmuar edhe Agjencia Kundër Korrupsionit.
“Ju njoftojmë se lidhur me rastin e adresuar nga ana juaj, Agjencia kundër Korrupsionit ka dërguar përgjigjen tek pala e cili ka qenë subjekt i trajtimit të konfliktit të interesit dhe te Institucioni përgjegjës. Me datë 25 janar 2022, pala e cili ka qenë subjekt i trajtimit të konfliktit të interesit ka konfirmuar pranimin e përgjigjes nga Agjencia kundër Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Për t’iu shmangur konfliktit të interesit, Tosuni ka dhënë dorëheqje nga Këshilli për Njohjen e Diplomave, një organ brenda Ministrisë së Arsimit në të cilin e kishte ushtruar rolin e anëtarit.
Krahas detyrës që ushtronte në Ministrinë e Arsimit dhe në të cilën tashmë ka dhënë dorëheqje që nga 26 janari, Gëzim Tosuni ishte propozuar për anëtarë të KShC-së nga ana e Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe daja i tij.
Ndërkohë pas raportimeve se është nipi i Besnik Bislimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se e ka pyetur zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin se çfarë marrëdhënie familjare ka ai me Gëzim Tosunin.
Haxhiu bëri të ditur se Bislimi i ka treguar se në 50 vjetët e fundit ndoshta e ka takuar një herë.
“E pyeta për kureshtje, tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit ndoshta e kam takuar njëherë. Nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, pati thënë ajo në Kanal10.
Kujtojmë se Gëzim Tosuni, nipi i Besnik Bisilimit, është propozuar për anëtar të KShC-së nga qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.
Për një votë pro propozimit të Tosunit – ish-Dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Publik të Gjilanit – dorën e ngriti edhe daja i tij, Besnik Bislimi, njeriu i dytë i qeverisë.
I pyetur aso kohe, Gëzim Tosuni kishte thënë se ka lidhje familjare me zëvendëskryeministrin Bislimi, përmes një shpjegimi se “takohemi me njëri-tjetrin”.
“Kemi lidhje familjare, në kuptimin që ne në Kosovë gati gjithmonë jemi diku – takohemi me njëri tjetrin. E gjeni [lidhjen familjare [v.j], qato informatat prej nga jeni informuar; jo që turpërohem, nuk kam nevojë me u fsheh”, kishte thënë Tosuni për Insajder.
Këta janë emrat e tjerë që kanë garuar për pozitën e guvernatorit:
Emanuel Bajra
Fehmi Mehmeti
Shkëndije Himaj
Gezim Tosuni
Mentor Nimani
Bezad Halilaj
Artan Ajazaj
Nexhat Kryeziu
Genc Rraci
Valdrin Krasniqi
Mentor Geci
Lulzim Ismaili
Ardian Uka
Ahmet Ismaili.