Lajme
Nipi i Xhafer Devës flet rreth padisë ndaj ambasadorit gjerman
Demokracia
17:51 | 11 Janar 2023

Share:

Pasardhës i Xhafer Devës, Valdet Deva, ka folur për padinë ndaj ambasadorit gjerman Jorn Rohde, duke treguar se sot e ka dorëzuar në një gjykatë të Berlinit përmes postës dhe se është në pritje të përgjigjes nëse ajo do të konfirmohet.

Ai në Frontal në T7, tha se Rohde në disa deklarata “e ka akuzuar Xhafer Devën se ka marrë pjesë në holokaust, gjë që s’është e vërtetë”.

Deva kritikoi edhe Qeverinë se nuk i ka dalë në mbrojtje figurës së Xhafer Devës.

“Sa për Qeverinë tonë Zoti na ndihmoftë. Nuk janë në gjendje me dalë me i mbrojtë figurat më eminente të popullit tonë. Por falë Zotit ka njerëz që shkruajnë libra me të vërtetat”.

Ai tha se ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka shkruar disa letra dhe se po të njëjtën e ka bërë edhe me ambasadorin gjerman.

“Ambasadorit gjerman i kam dërguar tri letra. Kam qenë personalisht. Ia kom dorëzuar tri letra dhe kam kërkuar takim prej tij. E ka pasë shansën të tregojë se ku i bazon akuzat. Edhe tash e ftoj ambasadorin gjerman që ta bëjmë një bisedë dhe të na tregojë faktet e tij se Xhafer Deva ka marrë pjesë në Holokaust”.

Deva pretendoi se Xhafer Deva ka shpëtuar rreth dy mijë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të ngjashme