Lajme
Nipi i kandidatit për Kryeprokuror arrestohet dhe i gjendet drogë në banesë, prokurorja e liron
Demokracia
17:10 | 06 Shtator 2023

Share:

Një prokurore në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka urdhëruar lirimin e Drin Rexhepit, nipit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu, të dyshuar për posedim të substancave narkotike.

25-vjeçari është shoqëruar dhe ndaluar në stacionin policor Jugu në Prishtinë mëngjesin e të hënës.

Ai dyshohet se ishte përfshirë në një përleshje fizike me një shtetas austriak, Josef L., 52-vjeçar.

Paparaci ka siguruar raportin e rastit.

Pas arrestimit mëngjesin e të hënës, Luljeta Bilalli, një prokurore e Departamentit të Përgjithshëm në Prishtinë ka udhëzuar policinë që të kryejë bastisje në shtëpinë e Drin Rexhepit.

Sipas raportit të hetuesve policorë të cilin e ka parë Paparaci, policia ka gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike në banesën e të dyshuarit.

“Pas kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit Drin Rexhepi është gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale, 4 gindera, rreth 1 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe tri kuti rizlla”, thuhet në raport.

Po ashtu, në banesën e Rexhepit organet e rendit kanë gjetur edhe kartëmonedha në vlerë 7,100.00 euro.

Para hetuesve policorë, i dyshuari Rexhepi ka deklaruar se paratë janë të nënës së tij, Lindita Fazliu.

Ndaj Rexhepit dhe austriakut Josef L., 51-vjeçar, prokurorja Bilalli ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre dhe dërgimin e tyre në mbajtje në Ferizaj.

Por, me transferimin e lëndës te prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda, Besa Limani, rasti ka marrë kahje tjetër.

Nipi i kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt me aktvendim të prokurores Limani, ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda Prokurorisë së Shtetit.

Shqipdon Fazliu është prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Vitin e kaluar ai kandidoi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial (KPK) e zgjodhi Blerim Isufajn si kandidatin më të suksesshëm në garën për Kryeprokuror. Por, Fazliu e ka ankimuar vendimin në secilën shkallë të gjykatave. Momentalisht, ankesa e tij për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit po trajtohet në shkallën e fundit të gjykatave, në atë Kushtetuese. /Paparaci.com

Të ngjashme