Lajme
Nike kërkon që dyqani i kosovarëve në Zvicër të ndryshojë emrin dhe t’i heqë reklamat
Demokracia
22:49 | 16 Nëntor 2022

Share:

Dyqani i atleteve në Cyrih të Zvicrës, “SNKRZH” me pronarë nga Kosova, duhet ta ndryshojë emrin dhe t’i heqë materialet reklamuese.

Për shkak se emri i një aplikacioni të kompanisë Nike dhe ai i biznesit “SNKRZH” ishin shumë të ngjashëm, avokatët e Nike i dërguan një letër dy të rinjve, Kuvet Salahit dhe Almaf Spahiut, të cilët kanë një biznes me atlete në Cyrih.

Në maj të vitit 2022, dy sipërmarrësit e rinj të Cyrihut përmbushën ëndrrën e tyre me hapjen e biznesit të tyre të atleteve. Në muajt e parë gjithçka dukej se po shkonte mirë, por në gusht i erdhi goditja.

Në një letër të regjistruar nga një firmë ligjore e Cyrihut, pronarët u informuan se konglomerati amerikan, Nike, akuzoi dyqanin e tyre të atleteve për shkelje të markës tregtare, shkruan 20min.ch, transmeton Klan Kosova.

Me të ashtuquajturin “aplikacioni SNKRS”, Nike ofron një platformë në të cilën klientët informohen për produktet dhe lansimet ekskluzive të kompanisë së tyre. Sipas prodhuesit ndërkombëtar të atleteve, emri SNKRZH do të shkaktonte konfuzion me produktin e tyre SNKRS dhe mund t’ua dëmtonte reputacionin.

Djemtë kosovarë thonë se nuk mund t’i përballojnë shpenzimet që ta çojnë Nike në gjykatë.

Një zhgënjim i madh për Salahin dhe Spahiun: Avokatët e Nike kërkuan që të fshihej marka SNKRZH. Për më tepër, ata duhet ta sigurojnë me shkrim Nike-n se nuk do ta përdorin më kurrë emrin, t’i ndryshojnë germat në ballinën e dyqanit të tyre dhe ta largojnë mallin me logo SNKRZH.

Kosovarët do të duhet gjithashtu t’i fshijnë edhe videot e tyre në Tiktok, të cilat kanë qindra mijëra klikime.

Dalja në gjykatë kundër kompanisë së madhe Nike nuk është opsion për Almaf Spahiun dhe Kuvet Salahin sepse thonë se kushton shumë shtrenjtë dhe se sigurimi i tyre i mbrojtjes ligjore nuk do ta mbulonte rastin.

Ata aktualisht po shqyrtojnë një emër të ri për biznesin e tyre, këtë herë së bashku me një avokat sepse nuk duan ta ngatërrojnë atë me Nike-n.

 

Të ngjashme