Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka thënë se është abuzim të thuhet se ka krizë vetëm në Kuvend.
Sipas tij, Kosova është në një krizë të përgjithshme politike të të gjitha institucioneve.
“Ka një pasaktësi të plotë në deklaratat e qeveritarëve tanë sepse Kosova ka krizë politike të përgjithshme. Qeveria në detyrë është qeveri pa legjitimitet demokratik tanimë sepse zgjedhjet demokratike të 9 shkurtit kanë prodhuar këtë parlament që kemi sot. Të mendohet se kemi krizë në Parlament përderisa qeveria është në një situatë të mirë, është një abuzim me diskursin e përgjithshëm publik, por nuk është e vërtetë. Kosova është në një krizë të përgjithshme politike të të gjitha institucioneve dhe kjo krizë politike është urgjente sepse kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe në ndërkohë Kosova ka nevojë për qeverisje që është në gjendje të marrë vendime legjitime, të propozojë ligje legjitime, të aprovojë marrëveshje ndërkombëtare dhe të bëjë hapa përpara për t’i adresuar problemet me të cilat po përballemi”, ka thënë ai.