Lajme
Ngujimi në zyre, emërimi i vajzës drejtoreshë, shkarkimi i nënkryetares dhe “ultimatumet”: Çuditë e kryetarëve të veriut
Demokracia
18:24 | 09 Shtator 2023

Share:

Nga muaj maj, katër komunat e veriut të Kosovës për herë të parë po qeverisen nga kryetarët shqiptar. Gjatë këtyre muajve kryetarët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut kanë qenë në llupen e mediave. Kjo për faktin se veprimi i Qeverisë për t`i dërguar ata në objektet komunale kanë nxitur tensione të mëdha në pjesën veriore, raporton gazeta Nacionale.

Ndonëse fushëveprimi i tyre për të bërë diçka në të mirë të qytetarëve ka qenë i vogël, ata kanë marrë disa vendime për kompletimin e stafit te tyre dhe disa vendime tjera.
Veprimet e tyre jo rrallë janë vlerësuar si shumë të çuditshme. Madje, ato janë shndërruar edhe në objekt tallje nga shoqëria.

Veprimet më të komentuara në media ka qenë ngujimi Lulzim Hetimit në Komunën e Leposaviqit, veprimi i Izmir Zeqiri për ta emëruar vajzën e tij drejtoreshë në komunë, shkarkimi i nënkryetares së Zveçanit nga Ilir Peci dhe ultimatumet pa mbulesë të Erden Atiqit.

Ngujimi i Hetimit
Çudia kryesore është ajo me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetimi, i cili vjen nga radhët e VV-së. Ai prej se është futur me njësi speciale të policisë në objektin e komunës, nuk ka dal nga aty.

Zyrtarët e partisë së tij kanë treguar se ai aty flenë, ushqehet, pastrohet dhe punon.

Deri me tani ai nga zyre është vizituar nga disa zyrtarë të VV-së.

Me se gjati me të ka qëndruar zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Hetimi në zyre është vizituar edhe nga Ministri i Ambinetit, Planifikimit Hpesinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Veprimi i tij për të qëndruar në komunë është vlerësuar si sakrificë e madhe nga VV-ja. Madje, për këtë është lavdëruar edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Shumë foto të tij janë bërë meme të njohur në rrjete sociale.

Ngujimi i tij në komunë është krahasur edhe me ngujimin e heroit të shqiptarëve Osa Kuka.

Emërimi vajzës drejtoreshë në komunë
Ndonëse në zyre të komunës ka qëndruar vetëm një ditë, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka vazhduar punën në një objekt tjetër të komunës në fshatin Çabër. Nga aty ai ka marrë disa vendime, duke u munduar të iu shërbej qytetarëve të komunës.

Vendimi më i komentuar i tij ka qenë ai për emërimin vajzën së tij drejtoreshë të Kulturës në Komunën e Zubin Potokut.

Kryetari që vije nga radhët e PDK-së e ka mbrojtur këtë veprim të paparë deri me tani.

Arsyetimi i tij për këtë veprim ishte i çuditshëm.

“Nëse e shikon ashtu krejt fshati Çabër është farefis në mes veti dhe i bie që shumicën e punëtorëve komunalë të jenë të afërt. Po është emëruar vajza drejtoreshë. Është absolvente në Universitetin e Mitrovicës”, ka deklaruar ai për mediat.

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta në vend.

“Kryetari i Zubin Potokut e paska punësu vajzën e vet si drejtoreshë në komunë, ashtu po raportojnë mediat. Hmmm.. Ai mesiguri për të mirë e ka dhe po mundohet me kry e bë diçka mirë. Por kjo po e ekspozon bastardizimin e punëve tona në veri. Pikë së pari, prej ditës së parë është parë që kjo nuk është aspak e qëndrueshme. Më mirë është fare mos me pas drejtor departamenti se edhe ashtu nuk ka me zgjatë gjatë se të gjithë po flasim për zgjedhje si dhe kur me u zhvillu. Kur ja shton kësaj edhe izolimin e Lulzimit në Leposavic kjo përnjëmend del një hajgare e madhe mos të kishte qenë shumë punë serioze dhe e dhimbshme”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, analisti Shenoll Muharremi.

Shkarkon nënkryetaren që e kishte emëruar vetë
As kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili po ashtu vije na radhët e PDK-së, nuk ka shpëtuar nga veprimet e çuditshme.

Më 5 qershor ai e kishte emëruar në pozitën e nënkryetares së komunës, Sladjana Pantovic.

Por, nuk kishte shkuar shumë gjatë dhe ai e kishte kthyer mbrapsht këtë vendim.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte treguar arsyet e vendimit për ta shkarkuar nënkryetaren.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Zveçanit, Sot kam vendosur që ta shkarkoj nga detyra nënkryetaren e komunës, zonjën Sladjana Pantovic. Ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave nga ana e saj, tejkalimit të kompetencave, si dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës. Pavarësisht kësaj, unë do të vazhdoj të punoj dhe shërbej bazuar në obligimet, detyrat dhe kompetencat e mia si kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, pa dallim”, ka shkruar Peci.

Shkarkimi i Pantovicit kishte ndodhur një ditë pasi ajo ishte pritur në takim nga kryeministri Albi Kurti.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, Sllagjana Pantoviq kishte qenë kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ultimatumet pa mbulesë të Atiqit
Pas Lulzim Hetimit, më i komentuari prej këtyre zyrtarëve ka qenë kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Kjo për faktin se në muajin e kaluar kishte kërkuar strukturat paralele serbe që ta lironin një objekt të komunës, i cili shfrytëzohej nga këto struktura ilegale.

Vendimi i tij ishte kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-ja. Pas kritikave të ndërkombëtarëve, ai kishte vendosur ta shtyn afatin, duke iu caktuar një “ultimatum” atyre strukturave që në një afat prej dy javësh ta lironin objektin.

Ky afat ka përfunduar dje dhe komuna nuk ka marrë asnjë veprim.

Në orët e vona të së premtes, Atiq ka nxjerr një vendim tjetër, ku tregohet afati për ultimatumin e ri.

Në vendim thuhet lirimi i objektit shtyhet deri në pranimin e Raportit nga Inspektorati Komunal.

“Të dashur qytetarë, në lidhje me vendimin nr.01-713/031 dua të ju njoftoj se afati i lirimit të objektit, i shfrytëzuar jashtëligjshëm, shtyhet deri në pranimin e Raportit nga Inspektorati Komunal”, ka shkruar Atiq në profilin e tij në “Facebook”.

Kryetarët aktual ishin zgjedhje më 24 prill në një proces zgjedhor, i cili u cilësuar si legal, por jo edhe legjitim.

Pas presioneve të ndërkombëtareve, Qeveria e Kosovës është pajtuar me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Për largimin e këtyre kryetarëve, Qeveria ka hartuar një udhëzim administrativ, i cili iu hap rrugën qytetarëve të komunave që t`i largojnë ata me anë të një peticioni. Meqenëse ky proces po konsiderohet si i komplikuar, është kërkuar edhe dorëheqja e tyre.

Nacionale Facebook

Të ngjashme