Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Nantes në Francën perëndimore këtë të mërkurë, ku një sulm me thikë brenda një shkolle të mesme ka përfunduar me një të vdekur dhe tre të plagosur.
Sipas njoftimit të policisë franceze, viktima është një nxënës i shkollës, ndërsa autori i dyshuar është një tjetër nxënës, 15 vjeç, i cili u neutralizua nga mësuesit përpara se të mbërrinte policia në vendngjarje, transmeton tch, përcjell Insajderi.
Zëdhënësi i policisë bëri të ditur se deri tani nuk ka asnjë shenjë që të tregojë për një motiv terrorist pas sulmit. Identiteti i viktimës dhe të plagosurve nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që çuan në këtë akt të rëndë brenda mureve të shkollës.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik francez dhe ka ringjallur debatet mbi sigurinë në ambientet shkollore.