Sport
Ngjarja e frikshme me Eriksenin duhet të reflektojë edhe në futbollin kosovar, sa ka siguri në fushat tona?
Demokracia
12:55 | 14 Qershor 2021

Share:

Kampionati i sivjetmë Euro 2020 ka nisur në mënyrë të jashtëzakonshme.

Ndeshjet ashtu siç është pritur janë tejet të luftuar dhe po sjellin spektakël, megjithatë, gjithë këtë bukuri për një moment sikur ia humbi ngjarja me mesfushorin danez, Christian Eriksen kur pësoi një sulm në zemër dhe u desh intervenimi urgjent i mjekëve për t’ia shpëtuar jetën, shkruan Demokracia.com.

Fatmirësisht reagimi i profesionistëve bëri që sot Eriksen të jetë gjallë, ndryshe sipas ekspertëve të mjekësisë nëse do të kishim një vonesë disa minutëshe do të ishte fatale për futbollistin danez.

Ajo pamje detyrimisht na shtynë të pyesim sesa janë të sigurt futbollistët tanë në Kosovë? Sa rëndësi iu japin masave shëndetësore klubet tona? A kemi mjek specialistë nëpër fushat tona, apo gjithçka është lënë në dorën e fatit? Deri tash fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë rast të tillë por klubet tona duhet të jenë të përgatitura për situata të tilla.

Deri tash krejt çfarë bëhet në këtë aspekt janë disa kontrolle mjekësore para fillimit të kampionatit e që duket se është shumë pak.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu ka thënë se ajo situatë që u pa me Eriksenin duhet të na shtyjë të mendojmë dhe të veprojmë në mënyrë më serioze në këtë aspekt.

“Situata me Eriksenin na shtynë të mendojmë por edhe të veprojmë në mënyrë shumë me serioze sa i përket këtij aspekti sepse unë personalisht nga përvoja mendoj se nuk kemi qenë të organizuar si duhet  në këtë fushë”, ka thënë për Demokracia.com, Sejdiu duke shtuar, se masat jo që duhet të merren vetën në ndeshje por mjekët duhet të jenë prezent edhe gjatë stërvitjeve pasi edhe aty ka ngarkesë.

“Gjërat e tilla janë të paparashikueshme dhe për atë gatishmëria dhe përgatitja që të reagohet në këto situata emergjente duhet të jetë në nivelin maksimal. Këto masa duhet të merren edhe gjatë seancave stërvitore sepse edhe në to ngarkesat janë të mëdha dhe mund të ndodhë gjithçka ,jo vetëm sulme të llojit të tillë por edhe lëndime të ndryshme”, ka thënë Sejdiu.

Por sa janë klubet tona të kujdesshme në këtë aspekt, sipas trajnerit mitrovicas, kjo lë shumë për të dëshiruar.

“Në përgjithësi nuk jemi të përgatitur si duhet, prandaj ky rast duhet të na vetëdijësojë më shumë dhe të përmirësohemi në këtë aspekt pa ndodhe gjerat, ndryshe mund të jetë shumë vonë”, ka përfunduar Gani Sejdiu. /Demokracia.com

 

Të ngjashme