Lajme
Ngërçi për kryeparlamentarin, edhe seanca e së premtes pritet të dështojë
Demokracia
20:09 | 24 Prill 2025

Share:

48 orët pas seancës së pestë të dështuar nuk po japin shpresë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i sigurojë 61 vota për Kryetarin e ri të Kuvendit. Ish-partitë opozitare as nuk kanë pranuar ftesë për diskutime e as nuk i kanë ndryshuar qëndrimet. E njëjta vlenë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Përpjekja disa ditore përsëri nuk solli rezultate.

Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përsëri nuk ka dashur të flasë për heqjen e bllokadës që ka sjellë posti i Kryetarit të Kuvendit.

Kurti është pyetur se a do të jetë Albulena Haxhiu edhe një herë e propozuar për kryeparlamentare, por ka refuzuar të përgjigjet.

“Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës punojnë tokën e shiu është për bereqet”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje po tregohet e hapur për marrëveshje politike me opozitën, por Albulena Haxhiun nuk po e tërheqë nga kandidimi.

Takimi i fundit i thirrur nga deputeti Avni Dehari dështoi dhe deri më tani partitë parlamentare nuk kanë pranuar ftesë të re.

Deputetja nga PDK, Ariana Musliu-Shoshi për TV Dukagjini e ka konfirmuar se nuk ka ndonjë ndryshim të qëndrimeve, karshi refuzimit për ta votuar Haxhiun.

Alban Zogaj nga LDK e ka konfirmuar se as nuk kanë pranuar ftesë e as nuk kanë ndërruar qëndrim.

Edhe deputetja Time Kadrijaj, e ka konfirmuar se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e tyre.

Ndërkaq nga NISMA nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës, në këtë rast deputetja Xhevahire Izmaku.

Në anën tjetër Arlind Manxhuka, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, është pyetur nëse Albulena Haxhiut mbetet kandidate e tyre, ose nëse kanë dërguar ftesë të re për takim. Në asnjërën prej pyetjeve nuk është përgjigjur.

I heshtur përballë pyetjes se a do të propozohet nesër për Kryetar të Kuvendit ka qëndruar edhe Glauk Konjufca përkundër interesimit për një konfirmim ose mohim të raportimeve.

Mungesa e ftesës për takim dhe betonimi i qëndrimeve nuk do të sjellë risi e as zhbllokim as të premten.

Analisti Belgzim Kamberi thotë se është e qartë se asnjëra palë nuk i ka 61 vota për të qeverisur dhe janë pak mundësi për koalicione.

“Në këtë drejtim Lëvizjes Vetëvendosje i kanë ngelur realisht vetëm PDK-ja dhe AAK si partner eventual për të arritur një shumicë më të sigurt për të qeverisur vendin, dhe në këtë drejtim përpos që nëse z. Kurti ende shpreson se do të mund të përfitojë ndonjë deputet që deri tani ka votuar kundër apo ka abstenuar”, ka thënë Kamberi.

Kamberi thotë se një koalicion i ish-partive opozitare do të ishte më pak i mundur, dhe vështirë i realizueshëm pa e pasur mbështetjen e Listës Serbe, për shkak se komunitetet tjera janë kundër një qeverie të opozitës.

Të premten nga ora 10:00 në mëngjes, për herë të gjashtë deputetët  do të tentojnë që ta zgjedhin Kryetarin e Kuvendit.

Të ngjashme