Lajme
Ngecin investimet nga jashtë| Njohësit thonë se investitorët s’vijnë me deklarata politike
Demokracia
10:30 | 22 Tetor 2022
Ilustrim

Share:

Kosova ka resurse e potencial për zhvillim, madje edhe mund të jetë qendër në rajon se i përket investimeve të huaj po vlerësojnë ekspertët në vend.

Por sipas tyre institucionet përkatës duhet që të krijojnë kushte të favorshme për investime duke filluar nga furnizimi i rregullt me energji elektrike.

Profesori Musa Limani, në një prononcim për Ekonomia Online tha investimet e huaja nuk tërhiqen vetëm nëpërmes deklaratave politike, por me punë konkrete.

Ai ka përmendur një varg kushtet që duhet plotësuar, duke potencuar luftimin e krimit e korrupsionit dhe ndikimet politike.

“Kosova ka çka t’i ofrojë investitorëve të huaj dhe diasporës shqiptare, mirëpo për t’i tërhequr investitorët e huaj Qeveria duhet t’i plotësojë disa kushte dhe parakushte dhe këto janë stabilizimi politikë, furnizimi me rrymë stabile që po ashtu nuk është, lufta e korrupsionit dhe e abuzimeve e cila është shumë në nivel të lartë, mandej nuk ka mbështetje adekuate të masave të politikës fiskale, nuk sigurohet kapitali i tyre”.

“Nuk mundemi me i tërheq investimet e huaja vetëm nëpërmes deklaratave politike por duhet të merren masa konkrete. Mos plotësimi i këtyre kushteve ka bërë që në Kosovë të ketë më së paku investime të huaja” tha ai.

Limani shtoi se faktorë kryesor për zhvillimin e mëtutjeshme ekonomik të Kosovës janë pikërisht investimet e huaja.

“Investimet e huaja sjellin kapitalin e tyre dhe avancojnë në Kosovë duke ngritur kapacitete të reja dhe në këtë mënyrë rrisin numrin e të punësuarve, mandej sjellin teknologji të re, sjellin risi në udhëheqje në biznes, mundësojnë integrimin e ekonomisë së Kosovës në proceset integruese ndërkombëtare, sigurojnë tregje”, tha ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike Jakup Bellaqa, tha se investimet që gjenerojnë punësim janë të mirëseardhura.

Bellaqa u shpreh se shkaku i mungesës së investimeve të huaja për dy vitet e fundit kanë qenë pandemia, inflacioni i lartë e disa shkaqe tjera, duke shtuar se investimet e huaja janë ndër komponentët më të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë.

“Nëse ato investimi do të kishin qenë  në sektorët strategjikë të ekonomisë që gjenerojnë punësim, atëherë kishte qenë e mirëseardhur”, tha ai, raporton EO.

“Këtu është një element tjetër që ka ndikuar këto dy tri vitet e fundit, ka qenë pandemia pastaj inflacioni i lartë, për të pasur investime të huaja duhet që të bëhen ndryshime në politikat fiskale edhe politikat monetare. Në kohë të inflacionit, në kohë të krizave ekonomike, politikat fiskale kishin qenë më të domosdoshme, zvogëlimi i normave tatimore, tu sigurohet parcela, siguron infrastrukturë ligjore dhe kushtet tjera në mënyrë që të joshen investitorët e huaj. Me investime të huaja ekonomia e Kosovës është e hapur”.

Ditë më parë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një statusi në Facebook tha se gjatë diskutimeve në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, u theksua se Kosova është në rrugën e duhur sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja direkte.

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024