Lajme
Ngec procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE, s’ka përfshirje as në maj
Demokracia
19:35 | 12 Maj 2025

Share:

Kosova mbetet jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të nisë punimet të martën, edhe pse vitin e kaluar kishte marrë rekomandim pozitiv nga Asambleja Parlamentare. Mbështetur në agjendën që e kanë përcjellë zyrtarë të kësaj organizate, kur janë pyetur për Kosovën, në sesionin vjetor është tek Ukraina dhe agjenda e brendshme e Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka qenë temë diskutimi në takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati të hënën me ambasadorë të vendeve të QUINT-it.

Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në kuadër të sesionit vjetor, që fillon të martën.

Në pyetjet e KOHËS lidhur me aplikacionin e Kosovës, i cili ka mbetur pezull nga viti i kaluar, nga Këshilli i Evropës e kanë proceduar vetëm agjendën, fokusi këtë vit është tek Ukraina dhe Pakti i Ri Demokratik i Evropës.

“Pikat e rendit të ditës do të përfshijnë rolin e organizatës në kontekstin e ri gjeopolitik si mbrojtëse e sigurisë demokratike, veçanërisht veprimet e saj në mbështetje të Ukrainës dhe Paktit të Ri Demokratik për Evropën, si dhe punën e Këshillit të Evropës në fushën e mjedisit – pas Deklaratës së Reikjavikut (e miratuar në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vitit 2023). Ministrat do të diskutojnë gjithashtu për bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian”, u tha nga KiE.

Tema të tjera që do të trajtohen janë: puna e KiE-së në fusha të tilla si sistemi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të drejtat sociale, të drejtat e fëmijëve dhe arsimi, siguria e gazetarëve, dezinformimi dhe sundimi i ligjit.

Takimi vjetor mbahen në kohën kur Kosova ende s’i ka konstituuar institucionet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill ka qenë temë diskutimi në takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pasur të hënën me ambasadorë të vendeve të QUINT-it.

“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare. Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komunitetet joshumicë dhe grupeve të tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, u tha nga Kryeministria.

Çështja e anëtarësimit u përmend edhe nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas dështimit të njërës prej seancave të fundit.

“Nuk dua të them se po të ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës patjetër do të ishte anëtarësuar tani në maj, mirëpo ia bëjmë gjithkujt të lehtë që nuk do të na mbështesë në anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës. Ia bëjmë shumë të lehtë të mos e trajtojë këtë temë në këtë fazë”, tha Gërvalla.

Por në MPJD nuk kanë treguar se cili ka qenë angazhimi dhe lobimi që Kosova të përfshihet këtë vit në agjendë.

Çështja që ndikoi në vendimin për mospërfshirjen e Kosovës majin e 2024-ës ishte mosprocedimi i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, derisa vendimi final i takon Komitetit të Ministrave, organ që përfaqëson qeveritë e vendeve anëtare.

Të ngjashme