Prej sot, përveç aplikimit online përmes eKosova, të moshuarit moshuarit mund të lajmërohen edhe fizikisht në QKMF-të ku do të regjistrohen tek sistemi Informativ Shëndetësor bazë, për t’u vaksinuar.
Një e moshuar nga Prishtina e cila pritet të marrë vaksinën tek salla “1 Tetori” në Prishtinë, për Demokracia.com ka thënë se pavarësisht aplikimit, nuk është ftuar ende.
‘’Ka më shumë se dy javë që djali im ka aplikuar online për mua për vaksinim. Sot kam ardhë që të kërkoj të vaksinohem edhe pa ma thirrur pasi që gjendja ime shëndetësore është e rëndë mirëpo më thanë se duhet të pres gjersa ata të më thërrasin e të vijë edhe pse brenda ishte vetëm një pacientë që hyri për tu vaksinuar, nuk patën arsye me më refuzu, por kjo është gjendja jonë’’, tha e moshuara XH.I për Demokracia.com.
Lidhur me këtë, Demokracia.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë dhënë detaje rreth kësaj çështje.
‘’Gjatë fazës së parë kanë pasur të drejtë vaksinimi të gjithë të moshuarit në këto grupmosha, qoftë ata që janë regjistruar përmes platformës eKosova, qoftë edhe që janë regjistruar aty për aty në qendrat e vaksinimit, apo që janë ftuar nga Komunat pasi janë regjistruar edhe në QKMF. Vaksinimi është duke vazhduar edhe këtyre ditëve, duke ju dhënë prioritet (me qëllim të shmangies së tollovive) personave të regjistruar në platformën eKosova’’, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Demokracia.com
Duke parë problemet e të moshuarve për të aplikuar online dhe komplikimet që po i hasin në këtë proces, Ministria e Shëndetësisë për Demokracia.com ka thënë se prej sot do të lehtësohet mënyra e regjistrimit për t’u vaksinuar.
‘’Prej të enjtes kjo platformë do të jetë edhe më e thjeshtë për regjistrim dhe një qytetar do të mund te regjistrojë deri në 5 familjarë apo persona të tjerë. Po ashtu, për ata që nuk regjistrohen përmes eKosova, regjistrimi mund të bëhet edhe fizikisht edhe në QKMF përmes Basic HIS (Sistemit Informativ Shëndetësor baze)’’, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com
Mirëpo, sipas ministrisë, ka të moshuar që nuk janë paraqitur për vaksinim, ani pse kanë aplikuar.
‘’Ka edhe të moshuar që nuk janë paraqitur për vaksinim gjatë fazës së parë, por që të gjithë do të ftohen ditë pas dite për tu vaksinuar, sepse, ditëve në vijim do të ketë edhe shumë më tepër doza në dispozicion për vaksinim të popullatës kundër COVID-19, sidomos të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë’’, tha Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Demokracia.com
Kujtojmë se vaksinimi kundër COVID-19 në Kosove ka filluar më 29 mars 2021, fillimisht me moshat mbi 85 vjeç, pastaj mbi 80, duke zbritur tek 75-79 dhe tash për ata mbi 65 vjeç.
Ndërkaq, prej muajit mars kur ka nisur vaksinimi e deri më sot janë vaksinuar mbi 59 mijë persona./Demokracia.com/